Veshjet tradicionale janë trashëguese të kulturës dhe traditave shqiptare, duke pasqyruar identitetin, historinë dhe mjeshtërinë artizanale të brezave. Ato nuk janë thjesht copëza materiali, por dëshmi e një kohe, një qytetërimi dhe një shpirti të pasur artistik që ka mbijetuar ndër shekuj.
Shkodra rreth viteve 1900 konsiderohej një qytet i madh tregtar, ku vlonte tregtia dhe mjeshtëria artizanale lulëzonte. Shkodranët e kanë pasur traditë dhe janë vlerësuar si “mjeshtrit” më të njohur të zejeve dhe tregtisë. Nëpër dyqanet e qytetit, artizanët punonin me kujdes dhe përkushtim për të krijuar veshje dhe objekte unike, të cilat sot përfaqësojnë një trashëgimi të pasur kulturore.
Një ndër mjeshtrit më të njohur të asaj kohe ishte Filip Staku, i cili qepte me mjeshtëri kostumet tradicionale shkodrane. Ai ishte i njohur për përkushtimin e tij ndaj detajeve dhe përdorimin e materialeve cilësore. Mbesa e tij, Albulena Staku, disa prej punimeve të gjyshit të saj 120-vjeçare i ruan me fanatizëm, duke i konsideruar si një trashëgimi të çmuar familjare dhe kulturore.
“Këto janë veshje të grave katolike të qytetit të Shkodrës. Është një veshje që i përket viteve 1800-1900. Gjyshërit e mi kanë pasur një dyqan ku punonin me kostumet e vjetra tradicionale. Materialin e parë e kanë marrë në Trieste dhe kanë pasur një makinë të veçantë për të realizuar veshjet,” tregon Albulena Staku, duke vënë në dukje rëndësinë e këtyre kostumeve në ruajtjen e identitetit kulturor shqiptar.
Përveç veshjeve, një nga objektet tradicionale më të çmuara në familjen e saj është edhe arka e pajës e gjyshes së saj, një simbol i trashëgimisë dhe pasurisë shpirtërore.
“Nëna e ka pasur pajën e saj në një arkë prej druri, të cilën e kishte dhuratë nga një skulptor. Është një arkë prej dru arre dhe është e ruajtur prej një shekulli. Këto objekte kanë shumë rëndësi pasi tregojnë për prejardhjen dhe historinë time,” shprehet ajo me krenari.
Veshjet popullore dhe objektet tradicionale mbartin histori në vetvete, ato janë një thesar i paçmuar për traditën kulturore të popullit tonë. Në to pasqyrohet jo vetëm arti i brezave të kaluar, por edhe dashuria dhe përkushtimi i njerëzve që i krijuan ato. Përmes ruajtjes dhe promovimit të këtyre vlerave, sigurohet vijimësia e trashëgimisë sonë kombëtare për brezat e ardhshëm.