Pika kufitare që lidh Shqipërinë me malin e Zi apo më saktë që lidh Vermoshin me Plavën dhe Gucinë është e treta ndër pikat tona kufitare me Malin e Zi, pas Hanit të Hotit dhe Muriqanit.
Komuna e Kelmendit është në skajin më verior të Shqipërisë dhe Vermoshi, fshati më i largët në kufi me Malin e Zi dhe për të shkuar aty, udhëtojmë nga Tirana, drejt Shkodrës dhe më pas Vermoshit. Këtu koha duket sikur ka ndaluar në vend. Qafa hijerëndë e Rrapshit, ura e Tamarës në ujërat e lumit Cem, pak më tej fshati Lëpushë.
Dhe më tej shfaqet me të gjithë magjinë e saj lugina e Vermoshit, në një lartësi prej 1100 metrash mbi nivelin e detit, rrethuar nga male të thepisura, pyje e livadhe. Përmes fshatit kalon lumi i Vermoshit, apo ndryshe lumi i Limit, i vetmi lumë në Shqipëri me rrjedhje të kundërt që derdhet në Danub. Bjeshkët e Vermoshit që e përqafojnë Luginën arrijnë deri në 2000 metra lartësi mbi nivelin e detit. Malësorët e Kelmendit janë kaq mikpritës, me shtëpitë dhe bujtinat e tyre alpine dhe muret e gurta.
Është një bukuri mahnitëse me Alpet që të kujtojnë Eposin e Kreshnikëve, pyje, lumenj, livadhe dhe pllaja që të japin ndjesinë sikur po e sheh tokën nga hapësira. Arnizka Vodaçek, nga Polonia ka ardhur këtu në Kelmend dhe dëshiron të kthehet dhe të qëndrojë këtu. Ndërsa Feliks Linz, nga Stutgarti, në Gjermani, thotë se këtu është më bukur se në Mal të Zi, madje, në vend të Shtutgartit, do zgjidhte pikërisht Kelmendin.
“Një nivel me lart, është mahnitëse”, na thotë. Pjetër Tajanaj, në qafën e Rapshit na tregon për klonin që ndodhej këtu dhe banorët lëviznin me pasaporta për në Vermosh. Lumi i Vermoshit është i vetmi lume në Shqipëri me rrjedhje të kundërt qe derdhet ne Danub. Në Vermosh takojmë banorët. Kol Numaj na shpjegon se “n’kohë të komunizmit”, Vermoshi, “a kenë si tan Shqipnia”. Ndërsa Gjelosh Vuçaj ia kthen: “Kufini ka kenë gjithkund more”. Lulash Pashkomuçaj ka shëtitur gjithe Evropën, por: “K’tu se k’tu jam, iki nga Vermoshi veç kur te vdes”. Shkojmë drejt Plavës dhe Gucise, pjesë gjithashtu e Bjeshkëve të Kelmendit. Plava rrëzë bjeshkëve, me katër liqenet e saj akullnajore dhe Gucia përgjatë lumin Vermosh, janë vërtetë bukuri idilike. Plava e Gucia kufizohen me Rugoven, Malesinë e Gjakovës, Dukagjinin dhe Kelmendin. Krahina e Plavës e Gucise e cila ka qenë historikisht e lidhur me Shkodrën dhe Pejen, ka luftuar për liri në të gjitha kohërat. Por Kongresi i Berlinit në 1878 ia dha Plavën dhe Gucinë Malit të Zi. Sot shqiptarët I gjen kryesisht në fshatrat e mëdha Vuthaj e Martinaj, dhe më pak në qytetet Plavë dhe Guci.
Lugina e Plavë-Gucisë është një bukuri përrallore prej 535 kilometrash katrorë dhe përshkohet nga lumenj të pasur që liqenin e Plavës. Male të larta deri mbi dy mijë metra, me pyje dhe klimë tipike alpine. Shkojmë në Plavë në Odën e Frasher Selimaj, koordinator i këshillit kombëtar shqiptar, i cili iu ka vënë fëmijëve emrat e të gjithë frashërllinjve. Është këtu, Avdyli, Naimi, Samiu, por edhe Vranina dhe Janina. “Pak jena modernize, kena ndalë te pesë,”, thotë bashkëshortja e tij Lindita, ndërsa Frashëri ia kthen, “Mos m’thuaj se është finalja kjo”. Pika kufitare Bashkim lidh shqiptaret e Kelmendit me Plaven dhe Gucine.
Janë këtu Plava me katër liqenet e saj dhe Gucia e bjeshkëve me bukuri idilike. Edon Balidemaj, nënkryetar I Gucisë, na thotë se Podgorica është më afër përmes Shqipërisë nga këtu sesa t’i biesh rreth e rrotull Malit të Zi. Kemi projekte ndërkufitare me Shqipërinë, na thotë ai. Balidemaj thekson se ajo që presin shqiptarët është bashkimi përfundimtar në BE.
Në Guci, Iber Hoti, na shpjegon se shumica e popullsisë janë jashtë dhe se jetojnë kryesisht me remitenca.
Ndërsa Zeqir Hasangjekaj tregon se kufiri ka qenë I hekurt dhe se nuk ka qenë e lejuar të afroheshe. “Aksentin e kena çift, traditën e kena çift, na i përkasim veriut”, na thotë ai. Ibër Hoti e mbyll bisedën duke thënë “Shqipëria dhe Mali i Zi në Evropë” dhe “nuk do hetohet që jemi dy shtete.” Duke shkuar nga Vermoshi në Plavë e Guci, nëpër Alpe, harron që je në Ballkan. Është një Zvicër e vogël që ka potencialin të bëhet vërtetë e tillë./abc