Velipojë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Recently”, zbardhen 1 vjedhje dhe 1 tentativë për vjedhje.
Vodhën në një automjet, një çantë me një shumë të konsiderueshme parash, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga, disa orë pas vjedhjes, një 25-vjeçar dhe një 18-vjeçar.
Në banesën e 25-vjeçarit, u gjet një pjesë e kësaj shume parash.
Nga hetimet dyshohet se 25-vjeçari, me precedent kriminal për vjedhje, 4 ditë më parë, ka tentuar të vjedhë në një automjet që i ka thyer xhamin.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të operacionit “Recently”, për zbardhjen e vjedhjeve, kanë identifikuar, kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasit:
A. P., 25 vjeç, me precedent kriminal për vjedhje dhe F. U., 18 vjeç, të dy banues në Laç, bashkia Vau i Dejës.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, dje pasdite, në fshatin Pulaj Plazh, kanë vjedhur në automjetin e shtetasit K. N., banues në këtë fshat, një çantë me një shumë të konsiderueshme parash në valuta të ndryshme.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se shtetasi A. P., më datë 11.05.2025, në fshatin Rrjoll, ka tentuar të vjedhë në një automjet që i ka thyer xhamin.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. P., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një pjesë të shumës së parave që dyshohet se është vjedhur në automjetin e shtetasit K. N.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga 2 shtetasit e arrestuar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim dhe “Shkatërrimi i pronës”.