Policia e Vau i Dejës ka arrestuar në flagrancë një 68-vjeçar, i cili tentoi të vriste bashkëshorten e tij duke e qëlluar me armë gjahu dhe më pas duke e sulmuar fizikisht.
Shërbimet policore ndërhynë menjëherë pas marrjes së njoftimit se një grua nga Vau i Dejës po transportohej drejt spitalit të Shkodrës me plagë të rënda, të shkaktuara nga dhuna e bashkëshortit të saj.
Në bashkëpunim me Sektorin për Krimet e Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, u bë e mundur lokalizimi dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit Xhabir Hoxhaj, 68 vjeç, banues në fshatin Mjedë. Ai akuzohet për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e mbetur në tentativë.
Hetimet paraprake tregojnë se Xhabir Hoxhaj, për motive xhelozie, ka qëlluar dy herë me armë gjahu në drejtim të bashkëshortes së tij, me qëllim eliminimin e saj. Pasi dështoi në këtë përpjekje, ai e ka dhunuar fizikisht, duke e goditur me grushte në fytyrë dhe duke e dëmtuar me një mjet prerës në pjesën e qafës dhe shpatullës.
Fatmirësisht, 61-vjeçarja Gj. Hoxhaj, ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtim mjekësor.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e gjahut të përdorur në ngjarje, dy gëzhoja dhe 17 fishekë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.