Vau i Dejës – Një telefonatë e mbërritur rreth orës 11:20 në sallën operative të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës raportonte për një të plagosur në një stan, në vendin e quajtur “Fusha e Liqenit”, në fshatin Shllak.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë organizuan punën dhe u nisën drejt vendngjarjes. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi F. D., i cili dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor, nuk ishte i plagosur, por kishte pësuar ngrirje të gjymtyrëve si pasojë e temperaturave të ulëta.

Duke qenë se zona ku ai ndodhej, në malin e Cukalit, është e vështirë për akses, efektivët e Policisë e transportuan me këmbë deri tek autoambulanca që kishte mbërritur pranë vendngjarjes. Fatmirësisht, shtetasi F. D. është jashtë rrezikut për jetën dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu