Një burrë nga Kosova bashkë me 4 djemtë e tij do të dalin para gjykatës në Zvicër nën akuzën se kanë trajtuar si skllave për 16 vjet katër gra.
Ndaj tij thuhet se ka sjellë gratë, atëherë nga mosha 14 deri në 17 vjeç si “bashkëshorte” për djemtë e tij, nga Kosova.
Për gati një dekadë e gjysmë, ata abuzonin me gratë dhe i detyruan të bënin punët e shtëpisë.
Vajza e parë u soll në Zvicër nga Shqipëria në vitin 2003. Atëherë 17-vjeç, ajo e njihte burrin e saj vetëm nga fotot, pasi ishte bërë një martesë e detyruar e rregulluar nga vjehrrit.
Prindërve të së resë iu premtuan se vajza e tyre do të kishte një jetë më të mirë në Zvicër.
Një vajzë tjetër ishte vetëm 14 vjeç, jetonte në varfëri dhe sipas hetuesve, prindërit e saj ia shitën atyrepër një shumë prej 300 eurosh.
Jeta gjoja më e mirë doli shpejt të ishte një kurth. Sipas aktakuzës, kosovari Albrim F. udhëzoi djemtë e tij saktësisht se si të silleshin me “gratë” e tyre: me dhunë brutale fizike dhe psikologjike.
“Gratë janë rrahur, poshtëruar, kërcënuar me vdekje, izoluar dhe dhunuar vazhdimisht nga anëtarët e familjes.
Më shumë se 20 herë e ka goditur”, thuhet në aktakuzën e njërit prej të pandehurve.
“Edhe pse ishte shtatzënë, ai e ka rrahur nusen deri sa i ka dalë gjak dhe i ka shtrënguar fytin me të dyja duart. Njëra prej viktimave duhej t’i lante këmbët vjehrrit dhe kunatit çdo mbrëmje,” thuhet në akuzat prej gati 30 faqesh.
Gratë rrallë lejoheshin të dilnin vetëm nga banesa dhe nuk kishin pothuajse asnjë kontakt me familjet e tyre. Ato duhej të bënin punët e shtëpisë nga mëngjesi në mbrëmje. Pas 16 vitesh në Zvicër, njëra nga gratë as nuk kishte arritur të mësonte gjuhën, pasi mbahej e mbyllur.
Avokati Dominic Nellen që përfaqësonte dy nga gratë në gjykatë dhe i ka shoqëruar për tre vjet tha:
“Gratë janë të mbrojtura mirë nga gjyqësori. Janë në një vend të sigurt. Nga martesat e tyre ata kanë 10 fëmijë.
Klientet e mija janë të traumatizuara rëndë. Ato vinin si të mitura, disa duke kaluar kufirin e gjelbër. Ato duhej të ecnin nëpër pyll gjithë natën. Dhe më pas ata u përdhunuan nga burrat e tyre menjëherë pas mbërritjes së tyre”.
Sipas tij vjehrri ishte ai që vendoste në familje dhe jepte urdhrat, shkruan media zvicerane.
Të akuzuarit përballen me dënime, ndër të tjera, për trafikim njerëzor, martesë të detyruar, lëndim fizik, shtrëngim, përdhunim dhe akte seksuale me fëmijë. Dënimi i kërkuar do të shpallet vetëm në gjyq.