Vogëlushja 2-vjeçare që shpëtoi mrekullisht mëngjesin e së shtunës, por plumbi i mori përgjithmonë të ëmën Migenën, do të jetojë me gjyshërit, prindërit e 37-vjeçares. Bashkë me të edhe vëllai i saj 4 vjeç. Derisa gjykata të vendosë se çfarë do të ndodhë me dy të vegjlit, ata do të jenë në përkujdesjen e dajës dhe gjyshërve në fshatin Daias, në Lundër.
Familjarët e Migenës vijojnë të presin njerëz për ngushëllim. Ata i ka kapluar dhimbja, por për ta, bashkëshorti i Migenës, Erjon Sinani, nuk ka lidhje me ngjarjen.
E njohin si njeri të qetë e punëtor, ndërsa bashkë me të, do të përpiqen të ecin përpara për të rritur nipin dhe mbesën jetime.
Një qëndrim krejt tjetër kanë për prindërit e Erjonit, Gëzim dhe Ikbale Sinani, të cilët ishin dëshmitarë të ngjarjes…
Policia e konsideron të zbardhur ngjarjen, me autor Roland Sinanin, i cili fillimisht vrau me një plumb kunatën teksa flinte me të bijën vetëm 2 vjeç dhe më pas me një tjetër qëlloi poshtë nofullës veten. Megjithatë, kur blutë arritën, pistoleta u gjet në anën tjetër të oborrit, dinamikë që nuk përputhet me rastet e vetëvrasjeve. Dyshimet e para të hetuesve ishin për heqjen e armës nga një tjetër person, si një tentativë për të prishur provat, por pas marrjes ne pyetje dhe hetimeve paraprake, dolën në përfundim se babai Gëzim Sinani e kishte lëvizur armën. Megjithatë, dëshmitë e tij janë kontradiktore për shkak se vuan nga skleroza. Për të dalë në një konkluzion më të qartë, hetuesit janë në pritje të ekspertizës së armës që është dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore.
Mister mbetet ku dhe si Roland Sinani e ka gjetur pistoletën. Për këtë policia ka pyetur të gjithë anëtarët e familjes, por asnjëri nuk ka pranuar të ketë dijeni. Erjon Sinani dhe bashkëshortja e tij ishin kërcënuar edhe më herët nga Rolandi, por nuk e kishin marrë seriozisht… Gjithçka mendohet se ka ndodhur për shkak të së qarës së vajzës e cila ishte sëmurë. Një sjellje të tillë agresive dhe mos durimi të zhurmave agresori e kishte shfaqur edhe në ditët e fundit./rtv