Kryeministri Edi Rama ka ndarë një urim me ndjekësit në rrjetet sociale në Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.
Rama e cilëson Shën Nënë Terezën gruan me shpirtin sa vetë bora, ndërsa uron shëndet e mbarësi për shqiptarët.
“Me këtë foto të Shën Terezës, gruas së shenjtë me trup të vogël e me shpirtin sa vetë bota, ju uroj në këtë ditë të shenjtërimit të saj mbarësi e shëndet të mirë”, shkruan Rama krahas fotos që ka ndarë në rrjetet sociale.
Nënë Tereza u shenjtërua nga Papa Françesku më 5 shtator 2016. Shenjt Tereza u vlerësua dhe me çmimin “Nobel” me përkushtimin e saj ndaj të varfërve, veçanërisht në qytetin indian të Kalkutës, ku ajo fillimisht themeloi strehimoren e saj të parë për të pritur me mijëra “njerëz të trotuar”.
Presidenti Begaj vlerëson veprën e shenjtores shqiptare dhe fton qytetarët të ndjekin udhëzimet e saj për kujdesin, ndihmën, bamirësinë dhe mëshirën ndaj njeri- tjetrit.
“Ajo na mësoi se edhe gjestet e vogla të mirësisë kanë fuqinë të ndryshojnë botën. Le të bëjmë çdo ditë një vepër të mirë”, shkroi ndër të tjera Presidenti i Republikës.
“Sot, e gjithë bota lutet për Shenjtën Nënë Terezë. Si shqiptarë jemi krenarë që i dhamë botës një figurë të shenjtë e fisnike, simbol të mëshirës, dashurisë dhe kujdesit ndaj të pamundurve. Shenjta Nënë Tereza është pjesë e shpirtit tonë kombëtar dhuruar njerëzimit për të shëruar plagë e për të sjellë shpresë aty ku mungon. Ajo na mësoi se edhe gjestet e vogla të mirësisë kanë fuqinë të ndryshojnë botën. Le të bëjmë çdo ditë një vepër të mirë”, shkroi Presidenti.