Ura e Tamarës dhe hani pranë saj janë objekte të trashëgimisë sonë kulturore të cilat dëshmojnë për bukuritë dhe traditat shqiptare. Ura e Tamarës e ndërtuar mbi lumin Cem të Vuklit, një kryevepër e shekullit XVIII, është ndërtuar nga vezirët Bushatllinj dhe mbetet një simbol i trashëgimisë sonë kulturore. Gurët e saj tregojnë histori shekujsh, duke lidhur komunitete e kultura. Pranë saj ndodhet Hani i Tamarës, dikur një strehë për udhëtarët dhe tregtarët, sot një kujtesë e mikpritjes dhe historisë shqiptare.
Këto vepra janë shpallur, në vitin 1984, Monumente Kulture të Kategorisë I dhe tregojnë pasurinë tonë historike dhe arkitekturore. Ura e Tamarës në Kelmend, lidh Shkodrën me viset e malësisë. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër publikoi në rrjetet sociale pamjet e luginës, ku gjendet ura dhe hani, luginë e cila ka origjinë akullnajore dhe është në lartësinë 1100 metra mbi nivelin e detit.Në të dy anët e luginës ngrihen shpate malesh me pjerrësi të konsiderueshme dhe të veshura me pyje dhe kullota. Bimësia drunore përbëhet kryesisht nga ahu dhe halorët. Kjo zonë shquhet për panoramën si dhe për reshjet e shumta të dëborës.