Në një kohë kur partitë politike kanë ndezur motorët dhe fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit ka nisur, rektori i universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Tonin Gjuraj, i bëri thirrje pedagogëve dhe studentëve që të shmangin takimet elektorale në mjediset e këtij institucioni. Ai ishte i prerë kur tha se një gjë e tillë nuk do të lejohet, ndërsa pedagogët dhe studentët janë të lirë të angazhohen politikisht pas orarit zyrtar të punës.
“Natyrisht kam nxitur gjithmonë aktivizmin politik, që të rinjtë të angazhohen, por duke pasur parasysh rolin dhe profilin e Universitetit, ftoj studentët dhe pedagogët që të shmangin takimet elektorale në mjediset e Universitetit, takime me kandidatë të forcave të ndryshme politike”, tha Gjuraj. “Mjediset e këtij institucioni në mënyrë absolute nuk duhet të shfrytëzohen për takime të natyrës elektorale”.
Muaji prill për universitetin e Shkodrës duhet të jetë periudha e kontakteve intensive me gjimnazet nga Ulqini në Malin e Zi deri në Tropojë për të thithur sa më shumë studentë për vitin e ri akademik 2025-2026.
Nga mbledhja e senatit rektori Gjuraj tha se nga aplikimi për 14 programe në Ministrinë e Arsimit 9 prej tyre kanë kaluar fazën e pare. Ky universitet ka përfituar edhe disa projekte që do financohen nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor.
Mbledhja nisi me një minut heshtje në nderim të profesor Selman Sheme i cili u nda nga jeta pak ditë më parë.