Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim forcimin e kujtesës historike dhe nxitjen e kërkimit shkencor mbi periudhën e regjimit komunist në Shqipëri.
Marrëveshja u firmos nga Rektori i Universitetit të Shkodrës, prof. asoc. dr. Tonin Gjuraj dhe Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, znj. Gentiana Sula, gjatë një ceremonie të zhvilluar në ambientet e universitetit, në prani të përfaqësuesve akademikë dhe institucionalë.
Kjo nismë synon të institucionalizojë marrëdhëniet ndërmjet dy institucioneve në funksion të dokumentimit dhe analizës së historisë së diktaturës komuniste në Shqipëri, me fokus të veçantë mbi rolin e ish-Sigurimit të Shtetit, të drejtave të njeriut dhe ndikimit të regjimit në jetën shoqërore, kulturore e politike.
Sipas marrëveshjes, fakultetet e Shkencave Shoqërore, të Drejtësisë dhe të Edukimit të Universitetit të Shkodrës do të angazhohen në projekte të përbashkëta kërkimore, botime shkencore, konferenca, ekspozita dhe aktivitete edukative. Studentët dhe stafi akademik do të kenë gjithashtu akses në arkivën e AIDSSH-së për qëllime studimore dhe punime diplome, si dhe mundësi për zhvillimin e praktikave profesionale.
“Ky bashkëpunim është një hap konkret për të forcuar rolin e universiteteve në përballjen me të kaluarën dhe në edukimin e brezave të rinj me vlerat e kujtesës, drejtësisë dhe të së vërtetës historike,” u shpreh znj. Sula gjatë ceremonisë.
Nga ana e tij, Rektori Gjuraj theksoi rëndësinë e përfshirjes së studentëve në proceset e hulumtimit dhe dokumentimit historik, si një mënyrë për të ndërtuar një vetëdije më të thellë qytetare dhe për të nxitur analizën kritike të të kaluarës.
Në kuadër të marrëveshjes, palët do të bashkëpunojnë edhe në zhvillimin e platformave digjitale arsimore, shkëmbimin e botimeve dhe hartimin e paketave trajnuese për mësimdhënësit dhe nxënësit në të gjitha nivelet e arsimit.
Marrëveshja ka një afat të pacaktuar dhe parashikon një plan pune të përvitshëm, i cili do të përditësohet në përputhje me objektivat dhe prioritetet e përbashkëta të të dy institucioneve.