Pas deklaratës së Kryeministrit Edi Rama se “nuk ka më Toke e Xanun” dhe thirrjes për lirimin e hapësirave publike, realiteti në Shkodër shpërfaq hipokrizinë e pushtetit vendor dhe paaftësinë e institucioneve që duhet të veprojnë. Në vend që në gjithë këtë periudhë të lironte trotuaret nga zaptimet abuzive, vetë Bashkia Shkodër është kthyer në furnizuesen kryesore të lejeve për ndërtim në hapësira publike. Dhjetëra lokale janë shtrirë brutalisht mbi trotuare, duke uzurpuar pronën publike në mes të ditës dhe me bekimin e institucionit që supozohet të mbrojë interesin qytetar, citon newspower.al. Aty ku qytetarët duhet të ecin, sot ngrihen struktura private që bëjnë biznes duke dhunuar pronen publike, një paradoks, kur vetë qeveria bën thirrje për shtet dhe rregull.
Ironikisht, IMT-ja (Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit) është thuajse jashtë funksioni. Nga një institucion që duhet të ishte në vijën e parë për të goditur abuzimet, është shndërruar në një noter të heshtur të paligjshmërisë. Kryeministri ka lënë dy javë afat për lirimin e hapësirave të zëna raporton newspower.al. Por a do të guxojë Bashkia Shkodër të shembë ndërtimet që vetë ka legalizuar me letra dhe heshtje? A do të zgjohet IMT nga gjumi i thellë, apo do të vazhdojë të jetë një fasadë?
Shkodra është sot një pasqyrë e qartë e një problemi kombëtar: shteti flet për ligj, ndërsa zyrat e tij firmosin paligjshmërinë. Nëse Rama do të ketë vërtet guxim të çojë përpara ultimatumin e tij, duhet të nisë me ndëshkimin e zyrtarëve që “bekuan” këto paligjshmëri. Në të kundërt, “Toka e Xanun” do të mbetet thjesht një tjetër slogan bosh për t’u harruar./ newspower.al