Prej më shumë se dy dekadash, banorët e zonës së Nënshkodrës jetojnë në kushte të papranueshme, pa furnizim të rregullt me ujë të pijshëm. Në vend që situata të përmirësohet, ajo është përkeqësuar në mënyrë dramatike. Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime Shkodër ka marrë ditët e fundit një vendimin absurd për të mbyllur një çezmë në Berdicë, që prej vitesh furnizonte me ujë të pijshëm qindra familje, duke i lënë këto të fundit në mëshirë të fatit, pa këtë mall jetik.

Ky veprim është një tjetër dëshmi e neglizhencës së thellë institucionale dhe e mungesës totale të përgjegjësisë publike nga ana e autoriteteve vendore. Banorët e Nënshkodrës, që prej më shumë se 20 vitesh detyrohen të mbushin ujë me bidonë, tashmë përballen me një krizë që prek jetën dhe shëndetin e tyre çdo ditë. Në vend që të vlerësohej ky shëmbull i familjes që ka vendosur këtë çezmë, ndërmarrja e ujësjellësit vepron në mënyrë arbitrare, edhe pse e di fare mire që zona nuk ka ujë, pasi nuk funksionon rrjeti që pas përmbytjeve të vitit 2010-2011. Paradoksalisht edhe Bashkia Shkodër hesht pa dhënë një zgjidhje për këtë skandal, në një kohë kur flitet për projekte, investime dhe fonde për infrastrukturën, por që realiteti në terren flet të kundërtën. Në mbyllje të vitit 2025 ende familje të tëra vuajnë për ujin e pijshëm!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu