Pavarësisht reformës së ndërmarrë nga qeveria në sektorin ujësjellës, as në vitin 2024 nuk pati ujë 24 orë në çezma për të gjithë abonentët.
Enti Rregullator i Ujit: Kohëzgjatja e furnizimit me ujë në rang sektori raportohet 17.3 orë/ditë me një përmirësim prej 1 orë/ditë. Janë 8 shoqëri UK Rajonale që ofrojnë shërbimin e Furnizimit me Ujë 20-24 orë/ditë si: UKR Korçë, Lezhë, Berat, Gjirokastër, Pogradec, Shkodër, Sarandë dhe Dibër, ndërsa 4 shoqëri UK Rajonale dhe shoqëria UK Tiranë me 13-20 orë në ditë. Katër shoqëritë e tjera ofrojnë furnizimin me ujë 4-13 orë në ditë. Furnizimi me ujë të pandërprerë në 24/7, sipas raportimeve, ofrohet vetëm nga Shoqëria Rajonale UK Lezhë.
Po ashtu, raporti vjetor i Entit Rregullator të Ujit tregon se një sasi e madhe e ujit vazhdon të shkojë dëm në rrjet dhe të mos faturohet.
Enti Rregullator i Ujit: Edhe pse i përmirësuar, treguesi i Ujit Pa të Ardhura vijon të mbetet përsëri në nivele mjaft të larta, mbi 60%. Objektivi kryesor për shoqëritë UK për përmirësimin e këtij treguesi duhet të shoqërohet me investimet përkatëse për instalimin e matësve në burim, për një përcaktim më të saktë të sasisë së ujit të prodhuar, plotësimi 100% i klientëve me matës individualë, si dhe me zbatimin e vazhdueshëm të detyrave nga task forcat përkatëse për zbulimin e lidhjeve të paligjshme dhe rritjen e faturimit në përgjithësi.
Ndërkohë, afro 120 mijë abonentë vazhdojnë të jenë pa matës për ujin, ndërsa drejt Entit Rrregullator të Ujit qytetarët vijojnë të ankohen për faturim aforfe.
Në raport evidentohet se gjatë 2024 ka pasur raste problematike të faturimit aforfe për vite të tëra për konsumatorë, që nuk jetojnë prej vitesh në banesat e tyre.