Goditet një rast i mashtrimit kompjuterik. Njësia “C” për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës kanë finalizuar  operacionin policor të koduar “Account” pas disa muajsh hetime si rezultat i të cilit ka rënë në pranga një 28 vjeçar.

Akuzat

I riu vidhte llogaritë e shtetasve të ndryshëm kosovarë, në rrjetin social facebook, dhe i përdorte ato për të përfituar shuma parash nga familjarët dhe të afërmit e shtetasve që iu kishte vjedhur llogaritë.

28-vjeçari ka marrë shuma të ndryshme parash (në total mbi 100 000 euro), nga familjarët dhe të afërmit e poseduesve të llogarive në facebook, pasi iu kishte dërguar atyre mesazhe se kishte nevojë për para.   

“Si rezultat i këtij operacioni është bërë e mundur kapja dhe ekzekutimi i masës së sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin L. P., 28 vjeç, banues në Tiranë. Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka vjedhur llogaritë e shtetasve të ndryshëm kosovarë, në rrjetin social facebook, dhe më pas ka komunikuar me familjarët dhe të afërmit e këtyre shtetasve, për t’iu kërkuar shuma të ndryshme  parash, me pretendimin se ishte në spital ose për arsye të tjera. Pasi kanë marrë mesazhet në rrjetet sociale, familjarët dhe të afërmit kanë dërguar shumat e parave me anë të rrjetit të transfertave monetare. Shuma e përfituar nga kjo veprimtari kriminale është mbi 100 000 euro”. 

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 7 karta bankare, 2 laptopë, pajisje të tjera kompjuterike dhe 62 mandate të lëshuara nga filialet e rrjetit të transfertave monetare, pas tërheqjes së shumave monetare nga ky shtetas.

Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu