Është gjetur trupi i recepsionistit, Eraldo Nevruzi, i cili dyshohet se u vra nga bashkëpronari i hotelit “Greccia”, Gerald Shehu pak pas mesnatës së të mërkurës (6 Qershor). Trupi i Nevruzit është gjetur në një gurore shumë të thellë. 43-vjeçari Gerald Shehu, sipas uniformave blu, “zhduku” trupin e pajetë të Eraldo Nevruzit i ndihmuar nga dy punonjësit e hotelit, 33-vjeçari Daniel Qose dhe 30-vjeçari David Larti.

Autori i dyshuar, i cili u arrestua në aeroportin e Korfuzit në tentativë për t’u arrastisur në Angli, ende nuk është marrë në pyetje pasi s’ka mbërritur akoma në Shqipëri.

Dyshohet se 31-vjeçari është qëlluar për vdekje nga Gerald Shehu dhe më pas trupi i tij është mbështjellë nga tre personat duke e nxjerrë jashtë ambienteve të hotelit.

Po hetohet nëse ka bashkëpunëtorë të tjerë në këtë ngjarje të rëndë.

Njoftimi i policisë:

Himarë/Informacion shtesë

Në vijim të punës hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes kriminale të ndodhur në Dhërmi, pas zbardhjes së rrethanave, ndalimit në Greqi të autorit të dyshuar dhe arrestimit të 2 shtetasve që ndihmuan autorin për të fshehur kufomën, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar veprimet për gjetjen e trupit të shtetasit E. N.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, të Komisariat të Policisë Himarë dhe disa grupe të Delta Forcë, në drejtimin e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, kanë vijuar kërkimet në një perimetër të gjerë.

Si rezultat i informacioneve të siguruara nga hetimi dhe i kërkimeve, shërbimet e Policisë kanë gjetur trupin e pajetë të shtetasit E. N., në vendin e quajtur “Përroi i Gjipesë”, në zonën midis fshatrave Dhërmi dhe Vuno.

Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje kriminale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu