Shtetasi i shfaqur në video është përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, sqarojmë se punonjësi i Policisë Xhovano Tuci, para dhënies së masës “Përjashtim nga Policia”, ka qenë në efektin e masës disiplinore “Shtyrje e afatit të gradimit për 3 muaj”, dhënë me vendim nr. 29, datë 24.04.2025, për mosmbajtje të rregullt të uniformës së Policisë dhe sjellje jokorrekte ndaj eprorëve.

Po ashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka pasur në proces shqyrtimi/verifikimi dhe hetimi disiplinor punonjësin e Policisë, Inspektor Xh. T., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Seksionin e Rendit, Komisariati i Policisë Lezhë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, për shkelje disiplinore të parashikuar nga neni 121 “Llojet e shkeljeve disiplinore”, pika 1, gërma “j”, “Braktisja e detyrës dhe mungesa e pajustifikuar dhe e vijueshme për një periudhë prej 7 ditësh pune ose më shumë”, dhe me vendim nr. 127, datë 03.07.2025, të Komisionit Disiplinor në Drejtorinë e Standardeve Profesionale, i është dhënë masa disiplinore “Përjashtim nga Policia”, parashikuar nga neni 123, gërma “e”, të ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”.

Bazuar në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, punonjësi i Policisë gëzonte të drejtën për ta ankimuar vendimin në Komisionin e Apelimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i cili më datë 25.07.2025, ka lënë në fuqi masën “Përjashtim nga Policia” për punonjësin e Policisë Inspektor Xh. T., të marrë me vendim nr. 127, datë 03.07.2025, nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Pas publikimit të videos ku shfaqet punonjësi i Policisë Xh. T., i cili dyshohet se konsumon lëndë narkotike kokainë, nga ana e strukturave përgjegjëse të AMP-së dhe të Policisë së Shtetit, po kryhen verifikime të tjera, në funksion të të cilave do të referohen materialet në Prokurori, për ndjekje të mëtejshme procedurale.

Policia e Shtetit është e vendosur të largojë nga radhët e saj çdo punonjës policie që nuk përmbush detyrën, abuzon me atributet e punonjësit të Policisë së Shtetit dhe cenon imazhin e Policisë dhe besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu