Nga Mimoza Rexhvelaj /
Sot në Tiranë u ndjeva jo si qytetare që respekton rregullat, por si një targë që duhej ndaluar dhe gjobitur me çdo kusht.
Një efektiv i policisë rrugore më ndoqi nga pas dhe më ndaloi. Me një ton arrogant dhe fyese më akuzoi se kisha kaluar me semafor të kuq dhe se gjatë drejtimit po përdorja telefonin. Lavdi zotit që nuk më tha dhe armëmbajtje pa leje….
I kërkova prova. Pamje filmike. Foto. Çdo gjë që vërteton shkeljen. Përgjigjja ishte tronditëse: nuk kam asgjë, jam njoftuar nga salla… , më saktë “njoftuar nga shefi” që kjo targë duhej gjobitur dhe kaq mjafton, që ky tipi me uniformë të kryej detyrën.
Pas një debati të gjatë që zgjati rreth një orë, dhe humba orarin për të bërë terapinë tek kilnka, shkova pranë AMP në Tiranë për të bërë ankesë për padrejtësinë dhe për gjuhën e papërshtatshme të policit.
Aty m’u tha se kamerat nuk funksionojnë. As kamera trupore të policit, as audio dhe se ishte vetëm fjala ime nuk mjafton si provë. ( duhet ta filmoja policin)
Madje më këshillojë miqësisht që ta paguaj gjobën dhe të mos e vë në diskutim shtetin, sepse mund të ishte edhe më keq…
Si qytetare pyes publikisht: ku duhet ta kërkoj të drejtën time kur një gjobë vendoset pa prova?
Në cilën derë duhet të trokas kur institucionet që duhet të garantojnë transparencë thonë se nuk kanë as pamje dhe as regjistrime?
Respekti për ligjin nuk mund të kërkohet me arrogancë. Autoriteti nuk mund të ushtrohet pa përgjegjësi dhe drejtësia nuk mund të jetë vetëm një copë letër e firmosur në rrugë dhe që je e detyruar ta paguash sa herë i teket një polici, apo shefi të gjobisë.
Ky nuk është vetëm rasti im. Është një pyetje për çdo qytetar, që nesër mund të ndalet në të njëjtën mënyrë.
Unë e kuptoj që targat opozitare janë tek blloku i gjobave, po mbajeni pak dorën se bota është portokalli dhe presioni shtetëror i shoqëruar me arrogancën nuk e ka të gjatë.
Unë nuk refuzoj të paguaj një gjobë kur jam në shkelje. Refuzoj të pranoj padrejtësinë. Refuzoj arrogancën e veshur me uniformë. Refuzoj idenë që qytetari duhet të ulë kokën përballë një procesverbali pa prova.






