Një i ri shqiptar u detyrua të linte vendin e tij për Britaninë dhe të bëhej “kopshtar” në një shtëpi bari në Swansea, në mënyrë që të mund të shlyente një borxh familjar ndaj një bande.

Kështu deklaroi prokurorja Georgia Donohue në Gjykatën e Kurorës Swansea.

Klajdi Zalli tha se nuk kishte dalë jashtë fermës së drogës për rreth dy muaj, deri kur policia bastisi shtëpinë. Ai kishte mbërritur në Britani në janar. Oficerët e gjetën 23-vjeçarin shqiptar mëngjesin e 15 marsit në pronën në Grenfell Town, Bon-y-maen.

Ata e hapën me forcë derën e përparme dhe panë Zallin duke u përpjekur të ikte nga kopshti i pasmë. 

Pasi ata e kërcënuan me Tasers, ai u dorëzua dhe policia i vuri prangat.

Policia sekuestroi 122 bimë kanabisi nga katër dhoma të rritjes, të cilat përmbanin drita fluoreshente dhe reflektorë të varur nga tela të rregullueshëm.

Me një prodhim të mundshëm prej 10 kg, bimët kishin vlerë deri në 52,000 £. 

Kishte edhe një kuzhinë të cilën Zalli e përdorte si dhomë ndenjeje dhe dhomë gjumi. 

Furnizimi me energji elektrike i shtëpisë ishte anashkaluar.

Ai i tha policisë se ishte detyruar të kalonte Kanalin Anglez për të shlyer një borxh që nëna e tij i kishte një bande në Shqipëri. 

“Kur mbërriti për herë të parë, ai u vendos në një qendër imigrimi, pastaj në një hotel në Birmingham. Më pas ai u kontaktua nga një person i panjohur në një telefonatë në Facebook dhe u bënë marrëveshje për ta transferuar atë në Sëansea” tha prokurorja.

Ai tha se nuk e la pronën sepse kishte frikë nga pasojat ndaj familjes së tij në Shqipëri.

Kur u pyet se pse u përpoq të ikte nga prona pasi mbërriti policia, ai tha se besonte se po e grabitnin.

Zalli i dha policisë kodin e tij të telefonit dhe më pas u deklarua fajtor për prodhimin e një droge të klasit B. 

Avokati i tij James McKenna tha se Zalli nuk kishte asnjë dënim të mëparshëm, duke shtuar:

“Ai kishte një borxh të konsiderueshëm ndaj bandës kriminale në lidhje me kalimin e tij në Kanal si dhe borxhin e familjes. Ka elementë presioni, frikësimi dhe kontrolli nga banda se pse e gjen veten në Swansea. Ai është ende një djalë i ri dhe qartësisht naiv dhe i papjekur.”

Zalli u dënua me 18 muaj burg. Gjysmën e dënimit do ta vuajë në paraburgim dhe pjesën tjetër me leje ose në qendrën e paraburgimit. Kanabisi do të asgjësohet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu