Një 41 vjeçar i dehur është arrestuar pasi i ka drejtuar armën punonjësve të policisë në Lezhë që e ndaluan.
Me finalizimin e operacionit policor të koduar “Neutralizimi” në Shëngjin, në mesnatë, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll, automjetin që drejtohej nga shtetasi L. Z., i cili ka krijuar dyshime tek punonjësit e Policisë, nga përgjigjet dhe sjellja e tij.
“Për këtë shkak, është informuar se do t’i kryheshin kontrolle fizike dhe kontrolle në automjet, si dhe testi i alkoolit.
Në atë moment, ky shtetas ka kundërshtuar kryerjen e veprimeve procedurale duke nxjerrë një armë zjarri që mbante me vete dhe ua ka drejtuar punonjësve të Policisë, me qëllim që të largohej dhe të shmangte arrestimin.
Ndërhyrja e menjëhershme dhe profesionale e shërbimeve të Policisë, ka bërë të mundur neutralizimin e menjëhershëm të shtetasit L. Z., i cili pas kryerjes së testit të alkoolit, ka rezultuar në gjendje të dehur, në masën 1.395 mg/l. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë me fishekë në fole, e gatshme për qitje, që mbahej pa leje nga ky shtetas.,” njoftoi policia.
Në përfundim të veprimeve procedurale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin Luan Zabata, 41 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.