Reshjet e fundit të shiut sollën probleme edhe në linjën e ujësjellësit në Lezhë. Një prej magjistraleve kryesore, i cili kalon përmes Lumit Drin në lagjen “Skënderbeg”, u dëmtua si pasojë e prurjeve të shumta të lumit, të shoqëruara me mbetje të ndryshme.

Tubacioni pësoi çarje në dy vende, por fatmirësisht nuk u ndërpre furnizimi me ujë për popullatën, pasi u gjetën zgjidhje alternative. Ndërkohë, me përmirësimin e kushteve atmosferike, Shoqëria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve, në bashkëpunim me Bashkinë Lezhë, nisi punën për rikuperimin e dëmeve të shkaktuara.

Punëtorë dhe mjete të rënda u angazhuan gjatë gjithë ditës e deri në orët e vona të mbrëmjes së së mërkurës për riparimin e tubacionit të dëmtuar.

Pasi tubacioni u ngrit përmes një vinçi, punëtorët realizuan saldimin e tij në dy pikat ku kishte pësuar çarje, duke bërë të mundur rivënien në funksion të linjës së ujësjellësit.

Operacioni i ndërhyrjes, i cili ishte mjaft i vështirë dhe zgjati rreth 10 orë, u ndoq nga afër edhe nga Drejtori i Shoqërisë Rajonale të Ujësjellësit në Lezhë, Zef Maçi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu