Ish-përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për politikën e jashtme, Federica Mogherini, e ndaluar dje, 2 dhjetor, në kuadër të një hetimi për mashtrim që përfshiu Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm dhe Kolegjit të Europës, u lirua gjatë natës, rreth orës 01:00. Kështu raportojnë mediat italiane si La Repubblica apo Corriere della Sera. Janë liruar edhe dy të ndaluarit e tjerë, Stefano Sannino dhe një drejtues i Kolegjit.

“Sipas deklaratës së policisë gjyqësore federale belge, pas intervistimit, tre individët u njoftuan zyrtarisht për akuzat që rëndojnë mbi ta. Akuzat lidhen me mashtrim dhe korrupsion në tendera, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional. Ata u liruan, pasi nuk konsiderohen të rrezikuar për arratisje”, njoftojnë prokurorët.

Hetimi lidhet me postin aktual të Mogherinit, si rektore e Kolegjit të Europës.

Dyshohet se Shërbimi i Jashtëm i BE-së, që kryen funksionet diplomatike të Unionit, zgjodhi përmes një tenderi abuziv në vitin 2022 Kolegjin e Europës për zhvillimin e Akademisë Diplomatike të BE-së, një program pilot 9-mujor për kualifikimin e diplomatëve.

Pak kohë para shpalljes së tenderit, Kolegji i Europës bleu një ndërtesë në Bruges (në Belgjikë) për 3.2 milionë euro, në një kohë vështirësish financiare për Komisionin Europian, nga i cili përfiton pjesën më të madhe të fondeve.

Ndërtesa kishte si funksion strehimin e studentëve pjesëmarrës, ndërsa tenderin me vlerë 654 mijë euro e fitoi pas blerjes së ndërtesës.

Ky ishte treguesi kryesor që ngjalli dyshime se drejtuesi i shërbimit të jashtëm të BE-së në atë kohë, Stefano Sanino, kishte parapërgatitur fituesin e tenderit.

Kolegji i Europës dyshohet se fitoi një garë të pandershme përballë universiteteve të tjera prestigjoze europiane për organizimin e Akademisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu