Rrugët turistike në zonën e Velipojës do t’i nënshtrohen ndërtimin dhe përmirësimit. Fondi Shqiptar i Zhvillimit njoftoi në sistemin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim se tashmë ishte shpallur kompania fituese për projektin në fjalë me një kontratë mbi 2 milionë euro.
Fitues është shpallur bashkimi i shoqërive njëra e Kosovës dhe tjetra e Shqipërisë, K.N.P.SH. PAPENBURG & ADRIANI COMPANY SH.P.K.. dhe ALBTIEFBAU SH.P.K”.
Referuar detajeve të publikuara më herët për kontratën “Ndërtimi dhe përmirësimi I infrastrukturës rrugore në zonën turistike të Velipojës” parashikohet që projekti të zhvillohet si një vazhdimësi e projektit të urës së re mbi lumin Buna në zonën kufitare Shqipëri-Mali i Zi.
Ky projekt parashikon të lidhe Urën mbi lumin Buna me Rrugën Kombëtare Shkodër–Velipojë. Projekti përfshin zonën bregdetare kufitare që shtrihet nga nisja e pjesës veriore bregdetare deri në deltën e lumit Buna/Bojana në Detin Adriatik. Kjo zonë përfshin destinacione turistike të njohura si Shëngjini dhe Velipoja specifkisht me disa plazhe si Rana e Hedhun, Rrjolli, me laguna, ishuj, kodra, parqe natyrore, lumenj.
Rruga ekzistuese, mbi të cilën do të ndërtohet gjurma e rrugës së re, është një rrugë rurale që lidh zonën përreth fshatit Pulaj me Velipojën, duke u lidhur me rrugën Shkodër–Velipojë. Rruga ekzistuese ka një gjerësi asfalti prej 3.5–4.0 metra dhe bankina të pa asfaltuara në të dyja anët, me gjerësi të ndryshueshme.
Ky projekt është pjesë e programit që po zbatohet tashmë prej disa vitesh me një fokus tek Infrastruktura dhe Turizmin që financohet nga Bashkimi Evropian nëpërmjet asistencës teknike dhe granteve të investimeve në një shumë totale prej 40 milionë euro, si dhe nga kredia sovrane plotësuese e dhënë nga BERZH për Qeverinë e Shqipërisë./Monitor