Nga veriu në jug, i gjithë bregdeti shqiptar do të jetë në lupën e tatimeve, për të goditur fenomenin e informalitetit.

Plani me 14 pika i Administratës Tatimore që ka nisur të zbatohet synon të rrisë numrin e bizneseve që paguajnë TVSH apo tatim mbi fitimin, duke goditur evazionin fiskal dhe bizneset që operojnë të paregjistruar. Po kështu do të ketë kontrolle mbi deklarimin e shfrytëzimit të hoteleve e deri tek verifikimet e për punonjës të padeklaruara apo tek paga jo reale.

Vëmendje të shtuar gjatë këtij sektori do të ketë përdorimi i pajisjeve fiskale, për të parë nëse bizneset lëshojnë faturë për shërbimin e ofruar nga akomodimi, ushqimi apo deri për çadrat e shezlongjet.

Pjesë e këtij plani janë edhe referencat e pagave në këtë sektor të cilat do të jenë minimalisht 55 mijë lekë për rojet, 70 mijë për kamerierët dhe minimumi 140 mijë lekë për kuzhinierët. Ata që deklarojnë më pak, do t’i nënshtrohen një hetimi të thelluar.

Për të goditur evazionin tatimet do të bashkëpunojnë edhe me platformat Booking, AIRBNB, për verifikimin e çmimeve që ofrojnë strukturat akomoduese. Pra nëse deklarojnë çmimet reale për dhomat e tyre apo jo.

Tatimet thonë se këto masa ndërmerren për të ulur informalitetin në sektorin e turizmit dhe do të shtrihen nga strukturat akomoduese, hotelet, bar-restorantet, agjencitë turistike, dhënia me qira të makinave dhe mjeteve te transportit ujor.

Kontrollet do të jenë javore duke përdorur të dhëna nga faturat e fiskalizuara për të monitoruar qarkullimin e këtyre bizneseve.

“Monitorimi dhe analiza javore e faturave të fiskalizuara, për artikuj të veçantë si “akomodim”, “çadër”, “shezllong”, etj., në krahasim me kapacitetet e deklaruara në popullatë”, thuhet në planin e tatimeve.

Për këtë sektor do të ketë analiza risku në bazë të sjelljes së bizneseve, nëse nuk deklarojnë të ardhura edhe pse kanë ushtruar aktivitet apo kur kanë rënie të theksuar të xhiros së deklaruar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu