Screenshot

Pronari i biznesit “Lufa Print” në Shkodër, Lulzim Mehmeti, ka dhënë dëshminë e tij para policisë pas vendosjes së tritolit pranë ambienteve të kompanisë së tij. Ai ka deklaruar se nuk ka patur asnjëherë konflikte, kërcënime apo shqetësime që mund të lidhen me ngjarjen.

“Nuk kam asnjë ide se kush mund ta ketë vendosur sasinë e eksplozivit. Nuk kam patur probleme me askënd dhe asnjë lloj kërcënimi. Ne operojmë prej vitesh në fushën e reklamave dhe marketingut në Shkodër dhe nuk e kuptoj arsyen e këtij sulmi. Gjatë ditës kam qenë në banesë për shkak të një viroze”, është shprehur Mehmeti.

Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me prokurorinë, ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Shpërthimi, i ndodhur rreth orës 22:20 të mbrëmjes së 9 dhjetorit, ka krijuar panik në zonën e Ish-Fermentimit për shkak të zhurmës së fortë, ndonëse lënda eksplozive nuk ka qenë në sasi të madhe. Nga kamerat e sigurisë së sekuestruara nga policia, është konstatuar se dy persona të rinj kanë mbërritur me motor pranë subjektit dhe kanë vendosur lëndën plasëse pranë qepenave të “Lufa Print”, duke u larguar menjëherë më pas. Autorët mbanin veshje me kapuç dhe fytyra u ishte mbuluar, çka e vështirëson identifikimin e tyre. Pas shpërthimit, dyshja është larguar me shpejtësi në drejtim të njësisë Rrethina, një zonë rurale pa kamera sigurie. Hetuesit dyshojnë se ata mund të jenë paguar për kryerjen e këtij akti. Policia e Shkodrës po analizon të gjitha pistat e mundshme dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu