Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka reaguar në rrjetet sociale, pas fitores minimale 1-0 të Shqipërisë ndaj Letonisë për Grupin K kualifikues në Kupën e Botës. Në postimin e tij, kreu i futbollit në vend shkruan se ishte një fitore e vuajtur, por e rëndësishme për objektivin. Duka shkruan gjithashtu se tani duhet të mendohet për ndeshjen e radhës kundër Serbisë.
“Një fitore ku vuajtëm shumë, por në fund morëm tre pikët që kishim si objektiv. Urime ekipit dhe stafit. Tani le të nisim të mendojmë menjëherë për ndeshjen tjetër. Faleminderit tifozëve, që ishin të pranishëm në stadium, për mbështetjen fantastike që i dhanë ekipit”, shkruan Duka.
Shqipëria fitoi 1-0 ndaj Letonisë dhe renditet në vendin e dytë në grup me 8 pikë pas pesë ndeshjeve, një më shumë se Serbia, në rrugëtimin për Botërorin 2026.