Hyrja Shirokë-Shkodër pritet të kalojë në një proces transformimi për t’ju përshtatur ndërhyrjeve të tjera që po bëhen në qytet siç është edhe ajo e Parkut Ligatinor. Në një procedurë të çelur këtë të hënë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me objekt kontrate “Transformimi urban në hapësira publike kryesore Rajoni 1 (Rikualifikimi i zonës turistike të hyrjes Shirokë-Shkodër Faza 2) me një fond limit 374 milionë lekë apo 3.7 mln euro jepen edhe detajet.
Sipas raportit teknik përfshihen ndërhyrjet ne bregun perëndimor të lumit Buna. Zona e studimit shtrihet në të dy krahët e rrugës lidhese të qytetit të Shkodrës me Shiroken.
“Në kuadër të zbatimit të projektit ““RIKUALIFIKIMI I ZONES TURISTIKE TE HYRJES SHIROKE-SHKODER”” kërkohet një studim i detajuar në qëllim të temave në vijim: – Rruga që lidh qytetin e Shkodrës me Shirokën – Sistemimi në formë pedonale të bregut të Bunës – Ndërtimin e një shtegu/shkallareje për ngjitje drejt malit të Taraboshit – Ndërtimin e një ballkoni panoramik Objektivat Vendndodhja strategjike e zonës, e rrethuar nga tre lumenj në hyrje të liqenit të Shkodrës, dhe lundrimi përgjatë lumit Buna që lidhte liqenin dhe qytetin me detin, e shndërruan vendin në të kaluarën në një qendër të rëndësishme ekonomike të rajonit nen mbrojtjen e kalasë së Rozafës. Ky pol ekonomik u rrit me ndërtimin e portit të Shkodrës dhe pazari i tij u bë qendra tregtare më e rëndësishme jo vetëm në Shqipëri por edhe në rajon. Projekti synon plotësimin e panoramës së nisur nga sistemimi i parkut ligatinor midis dy bypasseve. Ky projekt i cili po mer formë në krahun tjetër të Bunës
Nëpërmjet implementimit të këtij projektit, përveç anës vizuale, synohet përmirësimi i kushteve të infrastrukturës për zonën duke e shndërruar atë në një pol të ri turistik të veriut të Vëndit. Projekti ka keto objektiva kryesore: 1. Urbanizimi i zonës komfort planeve dhe rregulloreve në fuqi 2. Ndërtimin e pedonales buzë lumit. 3. Përmirsimin e infrastrukturës rrugore 4. Krijimin e shtigjeve që lidhin lumin me malin” thuhet në raport.
I njëjti nënvizon se zona turistike e hyrjes Shirokë Shkodër është i organizuar sipas tematikave në disa komponent:
Hapësira në ballë të urës së këmbësorëve mbi Bunë, do të shndërrohet në një shesh rekreativ. Xhamia do të rrethohet nga një hapësirë pedonale, e përshtatshme për të përballuar fluksin e besimtarëve në kohë shërbesash. Pjesa verilindore e sheshit do të ketë në përbërje një pergola metalike. Kjo pergola do të shërbejë si monument në kujtesë të thertores së qytetit që ka qenë në këtë zonë. Në brendësi të pergolës do të ketë një hapësirë të dedikuar për relaks në formën e bar kafe.
Parku i hyrjes për në malin e Taraboshit
Mali i Taraboshit është i lidhur ngushtë me historinë e qytetit të Shkodrës. Një nga objektivat e këtij studimi është dhe rikthimi i vëmendjes tek ky mal historik. Studimi parashikon lidhjen e malit me lumin e Bunës nëpërmjet një shkallareje zig-zag. Në fund të shkallares do të ndërtohet një ballkon panoramik. Ky ballkon do tu servirw vizitoreve një imazh te plotë të qytetit dhe kalasë së Rozafës.
Ballina ujore
Ballina ujore është zona e vendosur përgjatë lumit Buna. Është një zonë strategjike shumë e rëndësishme që do të shndërrohet në një atraksion ikonik turistik dhe do të promovojë imazhin e Shkodrës si një kryeqytet modern kulturor me një histori të pasur.
Rruga automobilistike
Zona e projektit rrethon rrugën automobilistike që lidh Shkodrën me Shirokën. Historikisht Shiroka është konsideruar si lagje e Shkodrës dhe kjo rrugë është nyja lidhëse e lagjes matanë liqenit. Konceptimi i rrugës është bërë në mënyrë të tillë që të kënaqi të gjitha parametrat e rrugëve urbane. E pajisur me dy korsi për automjete, trotuare dhe korsi të dedikuara për bicikleta, ky aks do të marë një pamje krejt të re.