Hekuba e Euripidit, tragjedia e lashtësisë greke, e shkaktuar nga humbja e fëmijëve të saj, u ngjit në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës e ndërthurur me motive të veriut shqiptar.
Një vepër, ku heronjtë, grekë dhe jo-grekë (ose ndryshe barbarë), pasi përleshen deri në përçudnim me trupin e gjuhën e tjetrit, të të huajit, të armikut të përbetuar, ndryshojnë dhe transformohen.
Ndërthurje situatash humbjeje, shtypjeje, largimesh e deri në sakrifikim në emër të pushtetit. Momente e situata që i kanë kaluar edhe shqiptarët ndër shekuj.
Një Hekubë që qëndron mes dy kohëve kjo e regjisorit Enke Fezollari dhe e përkthyer nga Eleana Zhako.
Mbi këtë lloj teleturgjie ballkanike autentike, ftohemi të përftojmë fjalën euripidike përmes këndvështrimit të tyre njerëzor, zakoneve e karakteristikave të tyre, me shtysë traditën e veriut të Shqipërisë.






