Shokuese në futbollin shqiptar, sulmuesi dhe kapiteni i Egnatias Raphael Dwamena ka humbur jetën në moshën 28-vjeçare gjatë ndeshjes mes Egnatias dhe Partizanit, e vlefshme për javën e 13-të në Superligë. Vetëm 24 minuta lojë janë luajtur në fushë, me Dwamenën që i pashqetësuar u rrëzua në tokë në këtë duel. Menjëherë kryesori Eldorjan Hamiti ndali ndeshjen dhe të dyja stafet mjekësore të ekipeve i erdhën në ndihmë, duke e dërguar me urgjencë në spital. Mësohet se në spitalin e Rrogozhinës ai u përmend dhe gjendja u duk e stabilizuar, me mjekët që e nisën drejt Kavasjës, aty ku edhe ndërroi jetë. Mësohet se në spital ai pësoi një goditje të dytë në zemër, gjë që ishte fatale për 28-vjeçarin nga Gana. Pritej që Dwamena të transportohej në Tiranë për një mjekim më të specializuar, teksa për fat të keq nuk ia ka dalë të mbijetojë. Ndeshja u anullua dhe nuk bëhet fjalë për futboll, me lojtarët në fushë dhe tifozët e futbollit në Shqipëri që kanë mbetur të shkuar nga kjo ngjarje.
Sulmuesi Dwamena më herët kishte bërë një ndërhyrje në zemër, ndërsa luante me një aparat ose “çip” në zemër, teksa për disa vite e kishte ndalur futbollin, teksa në janarin e këtij viti u bashkua me Egnatian, duke lënë gjurmë me golat e tij.
Sulmuesi në karrierë ka mbajtur veshur fanellat e Zurich, Real Zaragoza dhe Levante në Spanjë, apo edhe Vejle dhe Old Boys në Zvicër. Në kohën kur luante te Zaragoza, sulmuesi pësoi goditjen e parë dhe u operua, me mjekët që e ndaluan të luante futboll. Duket se goditja e tretë në zemër ka qenë fatale për sulmuesin, që ka trishtuar të gjithë komunitetin e futbollit në vend.
Për këtë Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë vendimin që të gjitha ndeshjet e Superligës të shtyhen. Sot në 17:00 do duhej të luhej Skënderbeu – Teuta dhe Vllaznia – Laçi. Edhe duelet e ditës së nesërme Tirana – Kukësi dhe Dinamo – Erzeni janë shtyrë, pasi në këto kushte nuk bëhet fjalë për futboll.