SPAK në bashkëpunim me autoritetet finlandeze, ka goditur një rrjet të madh kriminal që merrej me trafik ndërkombëtar droge dhe që drejtohej nga shqiptarë. Në një konferencë të përbashkët për mediat të mbajtur në Tiranë, SPAK dhe Prokuroria finlandeze dhanë detaje për operacionin e përbashkët, i cili është rezultat i një hetimi të nisur dy vite më parë.
Prokurori finlandez deklaroi se grupi kriminal shqiptar trafikonte drogë nga Holanda dhe Spanja drejt Finlandës. Gjatë aksioneve të zhvilluara në kuadër të këtij hetimi janë sekuestruar rreth 300 kg drogë, konkretisht 170 kg amfetaminë, 10 kg kokainë dhe 100 kg kanabis, ndërsa janë arrestuar 9 persona dhe 2 janë në kërkim. 54 persona të proceduar dhe shumica të dënuar në Finlandë. SPAK njoftoi se hetimet për këtë grup kanë nisur në qershor të vitit 2023, ndërsa për anëtarët e grupit po vijon edhe hetimi pasuror.
“Arritje për historinë e SPAK, pasi shënon krijime njësisë së parë hetimore mes SPAK dhe autoriteteve finlandeze. Ky bashkëpunim është dëshmi e qartë se krimi ka shtrirë aktivitetin e tij edhe vendet nordike përfshirë Finlandën. Ky hetim është tregues i qartë i vlerësimit që autoritetet ligj zbatues nordike kanë dhënë strukturave tona të drejtësisë. Na kanë mundësuar të godasim disa grupe kriminal et ë trafikut të drogës, drogë sintetike, kokainë, marjuanë etj. Rezultat i një pune të gjatë”, tha Dumani.
Gjithashtu, në Shqipëri janë sekuestruar 8 automjete, disa aparate celularë dhe dokumente të ndryshme, që sipas SPAK provojnë aktivitetin kriminal të këtij rrjeti të strukturuar.
Prokurori Alfred Shehu ka dhënë detaje se si funksiononte grupi kriminal i trafikut të drogës i goditur në bashkëpunim me autoritetet finlandeze. Bëhet fjalë për 4 grupe kriminale të drejtuara nga shqiptarë, të cilët kanë bashkëpunuar ngushtë mes tyre për organizimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në Shqipëria, Spanja e Holanda drejt Finlandës. Dy nga drejtuesit e grupit janë me origjinë nha Vlora, 2 të tjerë Kuçova dhe Berati, por janë të vendosur me banim në Tiranë.
“Karakteristikë e këtyre grupeve ka qenë bashkëpunimi i tyre me njëri-tjetrin. Grupe të veçanta bashkëpunonin me njëri-tjetrin për realizimin e qëllimeve të tyre kriminale. 2 nga grupet organizonin trafik nga Shqipëria drejt Spanjës, Holandës dhe Finlandës. Më pas atje kishin rrjetin e shpërndarjes. Një grup tjetër kriminal i drejtuar po nga shtetas shqiptar vepronte vetëm në Finlandë me sigurimin e lëndëve narkotike, blerjen dhe shitjen në Finlandë, Një grup tjetër i drejtuar nga shqiptarë, kishte si detyrë të tij dhe qëllim organizmin e trafikut të marjuanës nga Spanja në drejtim të Finlandës përmes shërbimit postar. Krerët e grupeve një pjesë kanë qenë më parë të ndjekur penalisht në Finalndë, dhe nuk kanë qenë të evidentuar në Shqipëri. Pas kthimit në Shqipëri, kanë drejtuar aktivitetin nga Shqipëria ose shtete të tjera të BE. Kjo ka qenë edhe një nga rezultatet e hetimit të përbashkët, nga informacionet e përfituara në kohë reale i transmetoheshin autoriteteve finlandeze. Dy nga krerët e grupeve kriminale janë me origjinë nga Vlora. Pjesa tjetër e përqendruar në Kuçovë dhe Berat. Një pjesë e këtyre, janë të vendosur me banim në Tiranë”, tha Shehu.
Zyrtari finlandez tregoi edhe si kryhej transporti i lëndëve narkotike.