Shqiptarët vijojnë të shkruajnë historinë. Dy ditë pas arritjes së Shqipërisë në play off-in e Botërorit, të njëjtën arritje e bëri dhe Kosova.

“Dardanëve” u mjaftonte vetëm një pikë përballë Slovenisë, por ata shkuan në Ljubljanë dhe morën maksimumin, duke triumfuar 0-2.

Sfida nisi në mënyrë të vrullshme për skuadrën e Franco Fodës, e cila gjeti golin e avantazhit që në minutën e 6-të me anë të Fisnik Asllanit, i cili pas një lëvizjeje të bukur në zonë dhe me një gjuajtje me të djathtën mposhti Oblakun.

Në minutën e 16-të Vojvoda gjuajti dhe Asllani devijoi topin në drejtim të Oblakut, por ky i fundit e largoi topin në momentin e fundit. Pjesa e parë përfundoi pikërisht me avantazhin 1-0 të Kosovës.

Në të dytën, gjërat u bënë më të lehta për “Dardanët”, kjo falë nervozizmit të Stojanoviçit, i cili u ndëshkua dy herë me karton të verdhë brenda 6 minutave, duke lënë vendasit me 10 lojtarë.

Menjëherë pas kësaj, të besuarit e Fodës u hodhën në sulm për të gjetur edhe golin e qetësisë, i cili erdhi në mënyrë spektakolare nga vetë sllovenët.

Në minutën e 64-t, Muslija hodhi një top për në krahun tjetër të fushës, por Karniçnik, i cili u mundua ta largonte, gabimisht e çoi në portën e tij, duke realizuar një superautogol që la të shtangur edhe Oblakun.

Me këtë fitore, Kosova arrin të sigurojë vendin e dytë në Grupin B dhe ndeshja e fundit do të jetë me Zvicrën në Prishtinë, e cila praktikisht e ka mbyllur çështjen e kualifikimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu