Kryeministri Edi Rama ka folur në podcastin e tij “Flasim” për rihapjen e platformës TikTok në Shqipëri, pas bllokimit që zgjati rreth një vit. Rama theksoi se ky vendim ishte paralajmëruar më herët dhe vjen si rezultat i një procesi serioz rishikimi dhe bashkëpunimi me kompaninë.

Sipas kryeministrit, pas vendimit për bllokimin e TikTok, platforma ka treguar gatishmëri për dialog dhe bashkëpunim me autoritetet shqiptare. “Për befasinë tonë të këndshme dhe pozitive, TikTok ishte i hapur dhe aktiv në ndërtimin e një dialogu me ne pasi bëmë bllokimin. TikTok nuk na ka çuar në gjyq”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se vendimi për rihapjen e aplikacionit nuk përbën një dorëzim dhe as mbyllje sysh ndaj problematikave që ishin evidentuar më herët. “Vendimi ynë nuk është dorëzim e aq më pak mbyllje sysh, por rezultat i një procesi serioz rishikimi dhe i një pune konkrete për adresimin real të shqetësimeve”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi se thelbi i këtij procesi ka qenë rritja e sigurisë dhe vendosja e filtrave të nevojshëm për kontrollin e përmbajtjes, duke theksuar se bëhet fjalë për kontroll në kuptimin pozitiv të fjalës dhe jo për censurë. Fokus i veçantë, sipas tij, ka qenë mbrojtja e fëmijëve dhe të rinjve.

“Sot TikTok është i aksesueshëm sërish sepse ka mekanizma të rinj sigurie. Ky ishte edhe qëllimi i bllokimit në radhë të parë”, përfundoi Rama.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu