Thomas Brdaric, trajneri i shkarkuar i Vllaznisë, ka reaguar për herë të parë pas largimit nga drejtimi i skuadrës shkodrane, duke theksuar se për të fituar titullin kampion nuk janë të mjaftueshme vetëm ëndrrat, por janë të nevojshme edhe strukturat e duhura, vendimet e mira dhe koha.
Në një postim në kanalet e komunikimit, trajneri gjerman ka reflektuar mbi sezonin e kaluar, duke vlerësuar arritjet dhe përpjekjet e skuadrës për të konkurruar në nivele të larta, ndërsa thekson se humbja në finalen e titullit ndaj Egnatias mbetet një moment i hidhur.
Brdaric ka falenderuar gjithashtu tifozët dhe qytetin e Shkodrës, duke e konsideruar atë një vend ku ka ndjekur ëndrrat e tij, por gjithashtu përballur me realitetin e futbollit.
“Për t’u bërë kampion, ëndrrat dhe shpresa nuk mjaftojnë. Duhet strukturë, stabilitet, vendime të mira dhe kohë. Këtë sezon, dhamë gjithçka që kishim. Arritëm në ‘Final 4’, përfunduam të dytët në kampionat dhe fituam një vend në kualifikueset e Conference League. Kjo është një arritje e madhe për klubin”, shkroi Brdaric, duke theksuar se ndonëse sezoni mbyllet pa titull, skuadra ka treguar rritje dhe ka krijuar një ekip të fortë.
Ai vlerësoi lojtarët e rinj si Dodaj dhe Jukaj, të cilët i dhanë impuls skuadrës, si dhe liderët me përvojë, si Balaj, Gurishta, Krymi, Mala dhe Deliu, të cilët mbajtën ekipin të fokusuar dhe të qëndrueshëm.
“Pamë lojtarë të rinj si Dodaj, Jukaj, të hedhin hapat e tyre të parë të vërtetë në futboll të nivelit të lartë. Lojtarët e tjerë të rinj presin te marrin shansin e tyre si Tafili dhe Spahija dhe jo vetëm. Liderët tanë me përvojë Balaj, Gurishta, Krymi, Mala dhe Deliu, bartën ekipin me konsistencë dhe karakter”, shkruan trajneri.
Në fund, Brdaric falenderoi tifozët dhe qytetin e Shkodrës për mbështetje dhe pasionin që i dhanë ekipit gjatë periudhës së tij, duke përmendur se ky rrugëtim i tij me Vllazninë nisi si fillim në vitin 2020 dhe vijoi më pas nga marsi i vitit të kaluar për herën e dytë.
“Shkodra do të jetë gjithmonë më shumë se thjesht një qytet futbolli për mua. Është një vend i pasionit, krenarisë dhe këmbënguljes. Një vend ku ndiqja ëndrrat dhe u përballa me realitetin. Lojtarëve, stafit, klubit, presidentit dhe sidomos tifozëve; Faleminderit për besimin, energjinë dhe dashurinë për lojën dhe Vllazninë. Puna nuk ka mbaruar. Por kapitulli im këtu është i plotë me zemër të mbushur, përpjekje të plotë dhe respekt të plotë”, shkruan Brdaric.
Vllaznia përfundoi kampionatin në vendin e dytë, ndërsa në finalen e titullit u mposht 4-0 nga Egnatia, duke humbur mundësinë për të fituar titullin kampion pas 24 vitesh. Kujtojmë se në vend të Brdaric në stolin e Vllaznisë u ul Edi Martini.