Me bukurinë e saj mahnitëse natyrore, historinë e pasur dhe mikpritjen e ngrohtë, Shqipëria është një alternativë e denjë për pushime, edhe kundrejt Italisë ose Greqisë. Kështu shkruan gazetarja e “The Washington Post” Natalie B. Compton në një artikull të saj, pas një udhëtimi njëjavor në vendin tonë.

Natalie, e shoqëruar edhe nga bashkëshorti i saj, e nisën udhëtimin në Shqipëri nga Shkodra, pasi kishin ardhur me furgonin e kampingut nga Kroacia e më pas nga Mali i Zi.

Shqipëria“, siç thotë ajo, “duket si një përzierje mes Italisë dhe Greqisë, por pa turma dhe me çmime më të ulëta”.

Gjatë pesë viteve të fundit, në Instagram-in e saj, gazetarja thotë se janë shtuar videot dhe lajmet nga Shqipëria. Miqtë dhe gazetarë të shumtë këmbëngulnin se vendi ynë ishte destinacioni i përsosur si “zëvendësues” i Italisë, Kroacisë apo Greqisë. Mund të kishe gjithçka, ushqim, natyrë, jetë nate, me pak kosto dhe e papopulluar, pra një zgjidhje për problemin e mbingarkesës turistike të Europës.

“Doja të besoja”, thotë ajo, “por më dukej shumë mirë për të qenë e vërtetë.”

Ndaj edhe udhëtimin ballkanik e nisi nga Shqipëria, për të vërtetuar pikërisht ato që kishte dëgjuar.

A do ta përmbushte Shqipëria famën që kishte?

Ndalesa e parë, Shkodra, një rajon i njohur për malet, liqenet, agroturizmin në ferma dhe ecjet në natyrë, si dhe për historinë e tij.

Nga një mëngjes tradicional në fshatin malor të Rragamit, deri te noti në një liqen të qetë ku ishin të vetëm, turistët thonë se përjetuan një Shqipëri që nuk ngjan me asnjë tjetër.

Udhëtimi vijoi drejt bregdetit të jugut, në drejtim të Himarës, për të cilën kishin dëgjuar se ishte më e qetë se disa nga qytetet më të mëdha bregdetare si Vlora, Durrësi apo Saranda. Teksa po udhëtonin përgjatë rrugës nacionale, çiftit amerikan i tërhoqi vëmendjen Deti Jon, i cili shkëlqente në horizont dhe, ashtu siç e kishin parë në Instagram, vetë plazhi dukej njësoj si pjesë të Italisë apo Greqisë, uji jashtëzakonisht i pastër dhe shezllonët të shumtë.

Akomodimi në qytet varionte nga bujtinat me çmime të ulëta deri te hotele luksoze që kushtonin qindra dollarë nata.

Po në Himarë, por pak më tej, turistët vizituan edhe plazhin e Livadhës, një zonë më pak e zhvilluar, por tërheqëse.

Nga Livadhi, udhëtimi i çiftit vijoi në Berat, qytetin e njohur për shtëpitë karakteristike që rreshtohen përgjatë lumit Osum, e në fund në Tiranë.

“Një javë nuk mjaftoi aspak. Nuk shkuam në majat më të larta të vendit, në fshatrat më të largëta apo te “Syri i Kaltër”, ato pishina të famshme me ngjyrë xhevahiri ku uji i akullt buron nga shpella aq të thella sa zhytësit nuk ia kanë gjetur ende fundin. Ka plazhe idilike që mund t’i arrish vetëm me varkë dhe rrënoja më të vjetra se Roma, të cilat nuk patëm kohë t’i shihnim. Ato që gjetëm ishin më shumë sesa një “kopje” e vendeve të tjera. Kur miqtë na pyesin për udhëtimin tonë në Shqipëri, nuk u themi që ishte si Italia apo Greqia.

E me premtimin se do të rikthehen për të parë të tjera destinacione turistike shqiptare, gazetarja e “The Washington Post” shkruan se zyrtarët presin një numër edhe më të lartë turistësh për vitin 2025, deri në gusht janë regjistruar pothuajse 9 milionë turistë të huaj.

“Ministria e Turizmit ka deklaruar se kërkon turizmin e qëndrueshëm, jo atë masiv, dhe po përpiqet të balancojë interesat private me aksesin publik në plazhe. Megjithatë, zhvillimi po ecën me ritme të shpejta, me projekte madhore infrastrukturore si aeroporti i ri në Vlorë, i cili pritet të nisë fluturimet komerciale këtë vit, si dhe resortet luksoze të Jared Kushner”, shkruhet në artikullin e “The Washington Post”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu