Është mbledhur këtë të martë Komisioni për Reformën Administrativo-Territoriale. Bashkëkryetarja socialiste Anila Denaj u shpreh se ka një mungesë monitorimi nga pushteti vendor. Ndër të tjera Denaj theksoi se nuk duhet të bien viktimë të mungesës së zbatimit të ligjit. Sipas saj, 22 bashki nuk janë në shërbim të qytetarëve.
“Mungon monitorimi i qëndrueshëm nga pushteti vendor. Shpesh ne japim peshën negative reformës, por duhet të ndajmë çfarë përgjegjësia ka reforma, ligjet që janë derivat i saj me lidershipin respketiv të një bashkie kur vjen çështja e zbatimit të ligjit.
22 bashki që nuk janë në shërbim të qytetarëve. Ky komision ka detyrë reformën territoriale të shkëputur nga lidershipi. Kur të shkojmë në propozime qoftë edhe hartës të mos e shikojmë sikur është një reformë që mban të gjithë përgjegjësinë e liderishipit. Ajo reformë territoriale, qoftë për hartën dhe qoftë për zbatimin e ligjit të mos ketë kthim prapa. Të mos jemi viktimë të mungesës së efektivitetit dhe zbatimit të ligjit. Duhet të lëmë ekspertët të flasin më gjerë dhe më tej. Duhet të jemi të kujdesshëm kur flasim për numër bashkish. Nuk është numri ai që determinon shërbimin e qytetarëve”, tha Denaj.
Ndërkaq, bashkëkryetarja demokrate, Dhurata Çupi theksoi edhe njëherë se ata kanë dy modele, bashki urbane dhe rurale.
“Në duhet ti japim tipologji të ndryshme bashkive. Në rurale dhe urbane siç i ka rajoni. Apo do vazhdojmë me këtë qasje që kemi sot, që kemi vetëm bashki urbane, ku i bashkëngjitim disa zona rurale, dhe kujtohet kryetari të shkojë njëherë në 5 vjet t’i shohë këto zona. Nuk është çështje harte dhe s’duhet të kompleksohemi që njëra palë të shohë paketën ligjore dhe tjetra palë të kërkojë t’ua sjellë bashkitë sa më pranë qytetarëve”, tha Çupi.