Derbi verior mes Tërbunit dhe Shirokës është mbyllur me barazimin 1–1, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës. Dueli kishte rëndësi të veçantë për të dyja skuadrat: pukjanët synonin ngjitjen në renditje, ndërsa Shiroka kërkonte të ruante kryesimin e tabelës.
Skuadra mike, e drejtuar nga dyshja Tatangelo–Mani, e nisi më mirë takimin, duke kaluar në avantazh që në minutën e 3-të me golin e Rigers Musarajt. Pas golit, Tërbuni u hodh në sulm për të gjetur barazimin, por pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0–1 në favor të Shirokës.
Pjesa e dytë vazhdoi me ritëm të lartë dhe luftë sportive nga të dyja krahët. Shiroka, edhe pse në epërsi, rrezikoi disa herë golin e dytë, por ishte Tërbuni ai që arriti të barazojë. Në minutën e 60-të, Elsamed Burgaj shënoi golin e 1–1, duke rikthyer ekuilibrat në ndeshje.
Minutat e fundit prodhuan emocione dhe raste për të dy skuadrat, por asnjëra nuk arriti të gjejë golin e fitores. Në fund, arbitri Dyrmisha sinjalizoi mbylljen e takimit me shifrat e barabarta 1–1.
Ky barazim i kushton Shirokës vendin e parë në klasifikim, pasi Besëlidhja, pas fitores së thellë 10–0 ndaj Adriatikut, ngjitet në krye falë golavarazhit më të mirë, megjithëse me pikë të barabarta me shirokasit.
Në javën e nëntë të Kategorisë së Dytë, grupi A, u zhvilluan edhe dy ndeshje të tjera me ekipet e qarkut Shkodër. Basania u mposht në transfertë nga Erzeni me rezultatin 2–1, ndërsa Veleçiku humbi 3–0 kundër Sopotit.
Java e ardhshme, e dhjeta në kalendar, sjell supersfidën e grupit A: në stadiumin “Reshit Rusi” do të përballen dy skuadrat kryesuese, Shiroka dhe Besëlidhja.






