Dy shtetas nga Kosova të cilët dhunuan dhe tentuan të vrisnin një të moshuar në Vlorë dhe nipin e saj të mitur kanë rënë në prangat e policisë.

Të arrestuar janë Gezim Bacaj dhe Durim Kelmendi, ky i fundit në dijeni të krimit por nuk e kallëzoi atë. Ndërkohë mbetet në arrati autori tjetër i ngjarjes, shtetasi Haki Bajrami i cili është shpallur në kërkim.

Bajrami rezulton të jetë ish-dhëndëri i të moshuarës Lutfie Fanaj.

Shkak i konflikteve që kishin nisur kohë më parë ishte divorci mes Haki Bajramit dhe vajës së Fanajt.

Në orët e para të mëngjesit shtetasi nga Kosova ka shkuar në shtëpinë e ish-gruas në Llakatund të Vlorës, ka dhunuar ish-vjerrhën dhe thjeshtrin e tij në bashkëpunim me Gëzim Bacajn.

Më pas ata i kanë vënë flakën shtëpisë duke lënë të lënduar gjyshen dhe nipin.

Këta të fundit u transportuan me urgjencë në spital dhe për fat të mirë janë jashtë rrezikut për jetën.

Si pasojë e zjarrit u shkrumbua plotësisht shtëpia e të moshuarës në të cilën jetonte në kushte të vështira ekonomike si dhe u dogj pjesërisht edhe një banesë tjetër ngjitur.

Pas zbardhjes së ngjarjes punë e policisë është përqendruar në ndalimin e autorit kryesor të ngjarjes, shtetasin Haki Bajrami që tentoi të vriste familjarët e ish-bashkëshortes.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu