Shkodër – Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër kanë vijuar punën për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, duke arrestuar një shtetas për tentativë vjedhjeje dhe duke referuar në Prokurori materialet për disa raste të tjera.
Arrestim për tentativë vjedhjeje
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vau i Dejës kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Gj. T., 33 vjeç, banues në fshatin Nenshat, pasi u kap duke tentuar të vidhte në një banesë në fshatin Hajmel.
Kanosje për motive pronësie dhe ndërtim i paligjshëm
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë referuar materialet në Prokurori dhe kanë nisur procedimet penale në gjendje të lirë për:
- M. C., 41 vjeç, banues në fshatin Nderlysa, i cili ka kallëzuar një 73-vjeçar se e ka kanosur për motive pronësie përmes thirrjeve dhe mesazheve telefonike. Gjithashtu, ky shtetas dyshohet se ka hequr pa të drejtë një mjet nga toka e tij.
- E. B., 33 vjeç, banues në Shkodër, i cili po procedohet për veprën penale të “Ndërtimit të paligjshëm”.
Dëmtimi i rrugës dhe aksident me largim nga vendngjarja
Gjithashtu, është referuar në Prokurori një tjetër rast për veprën penale “Shkatërrimi i rrugëve”, pas kallëzimit të shtetasit O. P., 24 vjeç, banues në Pukë. Sipas tij, disa mjete të rënda kanë dëmtuar rrugën pranë banesës së tij gjatë punimeve në zonë.
Po ashtu, mesditën e djeshme, një 17-vjeçare është paraqitur në spitalin rajonal të Shkodrës, duke deklaruar se në bulevardin “Bujar Bishanaku” është përplasur në këmbë nga një automjet me drejtues të paidentifikuar, i cili më pas është larguar nga vendngjarja. E mitura ka marrë ndihmën mjekësore dhe është larguar në banesë. Policia po punon për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të drejtuesit të automjetit, si dhe për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme ligjore.