41 ushtarë të KFOR-it duke përshirë 11 italianë, u plagosën nga përleshjet e rënda që ndodhën midis trupave të NATO-s dhe demonstruesve serbë në Seveçan.
Mes të plagosurve ka edhe 11 ushtarë italiane, nga të cilët tre në gjendje të rëndë, por jo në rrezik për jetën, dhe kanë pësuar djegie dhe fraktura.
Shefi i BE-së në Kosovë, ambasadori Tomaš Szunyog ka dënuar veprimet e dhunshme të protestuesve serb në veri, duke përdoruar eksploziv kundër forcave të KFOR-it. “Bashkimi Evropian në Kosovë dënon fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve sot në Zveçan, duke përfshirë përdorimin e eksplozivëve, kundër paqeruajtësve ndërkombëtarë të NATO-s, trupat që ruajnë paqen. Ne përsërisim thirrjen tonë për ndalimin e menjëhershëm të dhunës dhe uljen e tensioneve”, ka shkruar në Twiter Szunyog.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se tensionet në veri po shkaktohen “nga strukturat ilegale serbe të kthyera në banda kriminale” të cilët kanë sulmuar policinë e Kosovës, oficerët e KFOR-it dhe gazetarët.
Përmes një postimi në Twitter, Osmani dënoi dhunën në veri, prej ku akuzoi presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç për destabilizimin e veriut të vendit. “Këto akte të papranueshme dhune duhet të dënohen nga të gjithë.
Ata që zbatojnë urdhrat e Vuçiçit për destabilizimin e veriut të Kosovës, duhet të përballen me drejtësinë”.
Përfaqësuesit e shteteve të Quint-it në Kosovë – SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Gjermanisë dhe Francës – kërkuan nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që të ndërmarrë hapa që do të çonin në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, i cili mori pjesë në takim, tha se “ka një marrëveshje se shtensionimi i situatës duhet të ndodhë, por nuk e di se si do të ndodhë”.
“Ne besojmë se nuk është e nevojshme që kryetarët e zgjedhur [të komunave në veri] të punojnë çdo ditë në ndërtesat komunale. Për një afat të shkurtër, ne rekomandojmë që kjo të mos bëhet”, tha Hovenier.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka qenë në gjendje të gjejë mënyra që kryetarët të betohen në ndërtesa alternative dhe ta shmangin konfliktin. Një qasje e tillë, shtoi Hovenier, do të duhej të aplikohej edhe për punën e tyre.
Ai nuk pranoi të thotë nëse Kurti e ka pranuar këtë rekomandim ose jo.






