Shiroka u shndërrua në një skenë magjike arti mbrëmjen e premtes, ku tenori me famë botërore Saimir Pirgu solli emocione të jashtëzakonshme në një koncert që do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut shkodran.
Nën tingujt e Orkestrës Simfonike të Shkodrës, drejtuar nga dirigjentja Elda Laro, dhe të shoqëruar nga kori i fëmijëve të Qendrës Kulturore “Kujtim Alija”, koncerti elektrizoi atmosferën, duke ngritur në këmbë dhjetëra herë publikun e pranishëm.
Edhe për ata që e ndoqën nga afër këtë mbrëmje, emocionet që dhuroi muzika e tenorit Pirgu, ishte magjike.
Një simfoni e përsosur midis artit, publikut dhe peizazhit të Shirokës turistike, një natë që shpalosi më të mirën e shpirtit artistik shkodran. Koncerti ishte edhe një homazh për përvjetorin e shenjtërimit të nobelistes shqiptare, Nënë Tereza.