Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në komunikim me qytetarët në rubrikën “Sy m’Sy” vijoi bashkëbisedimin me ndjekësit, ndërsa iu përgjigj pyetjeve të adresuara. Ai u ndal tek mbyllja e “Tik Tok” teksa shtoi se mësuesit dhe prindërit vendosën interesin e fëmijëve para interesit partiak.

Sipas tij, edhe 11 maji duhet të jetë një proces i tillë ku qytetarët të shohin interesin e vendit dhe këtë interes shtoi ai e garanton Partia Socialiste e Shqipërisë.

“Kur bëmë këshillimin me 65 mijë mësues e prindër, 95% e tyre thanë të mbyllet Tik Tok. Patjetër që jo të gjithë janë socialistë, një pjesë nuk votonin për ne, por kur erdhi puna tek fëmijët nuk pyetën për Edi Ramën dhe thanë të mbyllet. Interesin e fëmijëve e vunë përpara interesit partiak. Fiks ky është 11 maj”, theksoi ai.

Ai garantoi se Partia Socialiste do t’i përmbyllë negociatat me Bashkimin Evropian.

Më tej Rama u shpreh se më 11 maj, Partia Socialiste do marrë shumicë, ndërsa shtoi se i duhet një mandat i fortë për ta çuar të gjithë procesin e nisur.

“Unë e PS ta garantojmë që mbyllim negociata dhe hyjmë në BE. Nuk duhet të kemi asnjë luhatje tani dhe këtu nuk është a do fitojë PS arithmetikisht, pra a do marrë PS 71 deputetë, PS nuk diskutohet,  çështje është që të marrim një mandat të fortë që mos të ketë asnjë luhatje të procesit dhe mos t’i dali njeri përpara procesit”, tha ai.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që me votën e 11 majit të kontribuojnë për të tharë kënetën, term të cilin kryeministri e përdor për të identifikuar kundërshtarët politikë.

“Kontribuo të thajmë kënetën”, tha rama.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu