Një rast i rëndë shëndetësor ka vënë në alarm një familje nga Malësia e Madhe, teksa një djalë i mitur, Albioni, po përballet me një sëmundje të rrallë dhe agresive që rrezikon seriozisht shikimin dhe shëndetin e tij neurologjik.

Sipas të dhënave, fëmija vuan nga nivele tepër të larta të ferritinës në gjak (hyperferritinemia), një gjendje e pazakontë që po vepron si “helm” në organizmin e tij. Sëmundja ka nisur të japë pasoja të rënda, duke dëmtuar shikimin, ndërsa mjekët paralajmërojnë për rrezik të përhapjes së hekurit drejt trurit.

Në fund të vitit 2025, Albioni iu nënshtrua dy ndërhyrjeve urgjente në sy, por shkaku kryesor i sëmundjes ende nuk është identifikuar plotësisht.

Për këtë arsye, më 23 shkurt, ai dhe nëna e tij, Suela, pritet të udhëtojnë drejt Italisë, ku do të konsultohen me një profesor të njohur ndërkombëtarisht, me shpresën për një diagnozë të saktë dhe trajtim të specializuar.

Megjithatë, familja përballet me një pengesë të madhe financiare dhe ligjore. Si shtetas jashtë Bashkimit Evropian, për të përfituar nga sistemi shëndetësor italian, kërkohet një garanci bankare (fidejussione) në vlerën 50 mijë euro.

Aktualisht, Albioni është i mbuluar nga një siguracion i përkohshëm që skadon më 18 mars. Pas kësaj date, në mungesë të garancisë financiare, çdo shërbim mjekësor, nga rezonancat magnetike deri te trajtimet, do të duhet të paguhet nga familja, duke e bërë të pamundur vazhdimin e kurimit.

Ndërkohë, nëna e tij është detyruar të lërë punën për t’u kujdesur për të birin, ndërsa përveç garancisë bankare, familja duhet të përballojë edhe kostot e jetesës në Itali, përfshirë qiranë, ushqimin, transportin, analizat dhe ilaçet që nuk mbulohen plotësisht.

Në këto kushte, familja apelon për ndihmë, ndërsa thekson se çdo kontribut është jetik për të siguruar vazhdimin e trajtimit dhe për t’i dhënë një shans Albionit për të shpëtuar shikimin dhe jetën.

Koha është e kufizuar, ndërsa afati i 18 marsit konsiderohet vendimtar për fatin e tij.

Ky është linku në gofundme për të gjithë ata që duan të ndihmojnë Albionin e vogël dhe familjen e tij:

https://www.gofundme.com/f/save-albions-sight?attribution_id=sl%3A267fb8c7-4672-4d7a-ab2d-967fa66ffb42&lang=en_US&ts=1771003861&utm_campaign=fp_sharesheet&utm_content=amp17_tb&utm_medium=customer&utm_source=whatsapp&fbclid=IwY2xjawP_1zZleHRuA2FlbQIxMQBzcnRjBmFwcF9pZBAyMjIwMzkxNzg4MjAwODkyAAEeyJM9cCj55cmMILKAi8TvnRoLYPe4jNVq5nEROyqA4MzdEpFoVUCDD-BKe5c_aem_u8wSg_JXcRFXfaYLDfH7_Q

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu