Ky është momenti ku i vihet tritol makinës së policit në Shkodër. Në videon e siguruar nga newspower.al shihen dy persona të maskuar, të cilët afrohen pranë banesës së efektivit Kastriot Selimaj. Për të kryer “misionin” e tyre, dy autorët që shfaqen në kamerat e sigurisë, ishin maskuar të veshur me pelerina që përdoren në ditët me shi. Pasi afrohen pranë banesës së efektivit, njëri prej tyre hip mbi murin rrethues, ndërsa tjetri qëndron i qetë në rrugë. Pasi hyn në oborr, ky shtetas vendos lëndën plasëse në gomën e pasme të krahut të pasagjerit dhe me shpejtësi del në rrugë, e më pas të dy largohen, ndërsa mjeti shpërthen. Ngjarja ka ndodhur 90 minuta përpara se efektivi 50-vjecar të dilte nga banesa për të shkuar në komisariatin e Shkodres, ku do të merrte detyrën. Përpara ofircerëve të policisë gjyqësore efektivi ka deklaruar: “Nuk kam konflikte njeri dhe nuk di kush mund të jenë autorët. Ngjarjen e lidh vetëm me detyrën, pasi jemi cdo ditë në terren dhe kujt nuk i vendosim gjoba”. Grupi hetimor po punon për ta zbardhur këtë ngjarje ndërkohë që pamjet filmike të sekuestruara tashmë, nuk janë një ndihmë e madhe pasi në to dy autorët janë të maskuar dhe vështirësohet puna për krijimin e identikitit. Ky bëhet rasti i gjashtë që një efektiv policie sulmohet me lëndë plasëse në Shkodër ku policia në të gjitha rastet ende nuk ka një autor.