Më datë 6 tetor nis viti i ri akademik 2025–2026 në të gjitha universitetet në mbarë vendin.

Risi e këtij viti janë edhe programet e reja studimore me diplomë të dyfishtë, që u jep mundësi shumë prej studentëve të kenë një bashkëpunim mbarëkombëtar.

Universiteti i Tiranës vijon të mbetet institucioni kryesor i arsimit të lartë në vend, duke qenë edhe këtë vit zgjedhja e parë e maturantëve shqiptarë, ku priten mbi 11 mijë studentë në të tria ciklet e studimit.

Nga rreth 20.200 maturantë në shkallë vendi, 60% kanë zgjedhur Universitetin e Tiranës, ndërsa në krahasim me vitin e kaluar janë 160 studentë më shumë që e kanë preferuar këtë institucion.

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” do e nisë ndryshe këtë vit për studentët e rinj. Risia lidhet me dy javët e para të procesit mësimor, të cilat drejtuesit i kanë quajtur “javët e mirëseardhjes”. Gjatë kësaj periudhe, studentët e vitit të parë do të kenë mundësi të njihen me ambientet, shërbimet dhe mënyrën e zhvillimit të procesit akademik në këtë universitet.

Edhe pse ky vit i ri akademik nis këtë të hënë, ndërkohë vijon raundi i dytë i regjistrimeve për të gjitha ata studentë që ende nuk e kanë bërë zgjedhjen e tyre. Ata do të mund të regjistrohen në programet që rezultojnë me ngjyrë jeshile deri më datë 8 tetor.

Ndryshe nga më parë, këtë vit janë rritur ndjeshëm kërkesat në drejtësi, ekonomi, shkenca sociale, histori dhe filologji. Kuota të lira kanë mbetur edhe në shumë programe të preferuara, ndërsa kërkesë në rritje për këtë fazë të parë të raundit të dyte ka pasur edhe për programet 2-vjeçare profesionale.

Procesi i regjistrimit do të përmbyllet me raundin e tretë, ku të gjithë aplikantëve u jepet mundësia të regjistrohen në programet ku kanë mbetur kuota të lira, në datat 13–24 tetor.

Ndërkombëtarizimi është gjithashtu një nga çështjet kryesore të arsimit të lartë në vend, ndërsa sfidë mbeten ende programet e mësuesisë, ku interesi është më i ulët, duke reflektuar një prirje të maturantëve për të zgjedhur fusha të tjera më të lidhura me tregun e punës.

Viti akademik 2025–2026 është vendosur të mbyllet më 25 shtator të vitit të ardhshëm.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu