Ballina Politike Të dielën gara për 61 kryebashkiakët e rinj, Shqipëria sot në heshtje...

Të dielën gara për 61 kryebashkiakët e rinj, Shqipëria sot në heshtje zgjedhore

Sot është heshtje zgjedhore, pas mbylljes një ditë më parë të fushatës elektorale të partive politike që do të konkurrojnë në zgjedhjet lokale të 14 majit. Politikanët e kanë ligjërisht të ndaluar që të bëjnë thirrje politike drejt zgjedhësve dhe të japin mesazhe politike, pasi kjo gjë është në kundërshtim me dispozitat e Kodit Zgjedhor. “Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore”, thuhet në nenin 77 të Kodit Zgjedhor. 

Kujtojmë se rreth 140 kandidatë të subjekteve politike si, Partia Demokratike; Partia Socialiste; Partia Lëvizja Bashkë; Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen; Partia e Fronit të Majtë; Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet; si dhe koalicioni “Bashkë Fitojmë” do të synojnë të marrin drejtimin e bashkive në gjithë vendin. 

Në 44 bashki do të garojnë nga dy kandidatë, në 14 bashki do të jenë nga 3 kandidatë, ndërsa në Sarandë do të jenë 4 kandidatë. Teksa sot kjo ditë do të shërbejë për përgatitjen e bazës së materialeve zgjedhore dhe shpërndarjen e tyre në çdo skaj të vendit, të dielën qytetarët i drejtohen kutive për të votuar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks