Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave për draftin e ri të Kodit Penal, duke i cilësuar alarmet për “gojëmbyllje” të lirisë së shprehjes si të pavend dhe të nxitura nga keqkuptime ose spekulime.
Në një postim në platformën “X”, Rama u shpreh se drafti është prezantuar publikisht për të mbledhur sa më shumë opinione në mënyrë demokratike dhe transparente.
“Të alarmuarit nga drafti i Kodit të ri Penal dhe gojëmbyllja me ligj e forcave liridashëse politike dhe mediatike, mbase duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell, ndërkohë që drafti i ekspertëve të nderuar të fushës është prezantuar publikisht pikërisht për të mbledhur në mënyrën më demokratike dhe transparente të mundshme të gjitha opinionet rreth tij. Hëpërhë problem më serioz që ka liria në Shqipëri nuk është as regjimi, as drafti i kodit të ri jo e jo, po masa domethënëse e atyre që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr e shamata për mungesën e saj”, ka shkruar kryeministri Rama.