Ish kryeparlamentarja, njeheresh drejtuese politike e PD per diasporen, Jozefina Topalli ka sjelle historine e nje 12 vjecari, qe bashke me familjen e tij u largua drejt Londres, me varkat e tmerrit, duke “pare” vdekjen me sy!
Statusi plote:
Taulanti dhe udhëtimi në barkën e tmerrit!
Në një cep të Londrës, mes mijëra historive emigrantësh, mbaj mend një më fort se të tjerat. Ishte një djalë i vogël, 12 vjeç, me emrin Taulant. Kishte sytë plot dritë dhe një buzëqeshje që nuk e shlyente dot as jeta, as fati, as tmerri që kishte parë.
Gjashtë vite më parë, kur ishte vetëm 6 vjeç, babai i tij — i ri vetë, me duar të zbrazura por zemër plot shpresë — mori djalin në krahë dhe i hyri një udhëtimi të çmendur. Hipën në një barkë të vogël, të stërmbushur, pa drita, pa siguri, vetëm me detin përreth dhe errësirën përpara.
Ai baba i ri zgjodhi detin, jo se e kishte besim, por sepse e kishte humbur besimin te shteti i vet. E besoi jetën e djalit të tij më shumë në duart e dallgëve sesa në ato të një qeverie që kishte harruar njerëzit e saj.
Përfytyroni një fëmijë 6-vjeçar, i ulur në një cep të një barke, i lagur, i dridhur, i uritur, me sytë e zgurdulluar nga frika, me një baba që e mban fort — jo se e di se si do shpëtojë, por sepse nuk mund ta lëshojë.
Ishte një natë që s’duhet të ndodhte kurrë. Një natë që një vend normal s’do ia lejonte kurrë një fëmije të përjetonte. Por për Taulantin dhe për shumë të tjerë si ai, ajo ishte nata e shpresës së fundit.
Sot Taulanti është në shkollë, në Londër. Është fëmijë i zgjuar, i dashur dhe i ëmbël. Ka ëndrra. Flet tri gjuhë. Por kur ia përmend Shqipërinë, sytë i ndizen, dhe një mall i papërkufizueshëm i del në buzë.
Sepse zemra e tij është ende atje ku nuk pati fëmijëri, por ku i është rrënjosur identiteti.