Administrata Tatimore ka publikuar listën e pagave referencë për 45 profesione në sektorin e turizmit, për sezonin turistik 2025.
Sipas listës së publikuar paga minimale për kamerierët në restorante, bare dhe hotele nuk duhet të jetë më pak se 70,000 lekë në muaj.
Pagat referencë fillojnë nga 55,000 lekë për pozicione si punëtor pastrimi plazhi apo roje parkimi dhe arrijnë 130,000 deri në 140,000 lekë për kryekuzhinierët, shefat e pastiçerive apo pozicioneve të tjera të larta në zinxhirin e shërbimit.
Profesionet e përfshira në listë përfshijnë: arkëtarë, banakierë, kamerierë, pastiçierë, roje plazhi, ndihmëskuzhinierë, punonjës mirëmbajtjeje dhe shumë të tjerë.
Sipas Tatimeve, tatimpaguesit që deklarojnë paga nën nivelin referencë për profesionin përkatës do të konsiderohen me risk të lartë dhe do t’i nënshtrohen kontrolleve të thelluara nga Administrata Tatimore.
Në kuadër të zbatimit të planit sektorial të turizmit 2025 dhe uljes së informalitetit të pagave, Administrata Tatimore thekson se do të kontrollojë të gjithë ata tatimpagues të cilët pagat e deklaruara i kanë nën pagat indikative të publikuara në faqen zyrtare të administratës tatimore.