Në ditën e dytë pas nisjes së aksionit kombëtar për të sekuestruar produktet bujqësore e blegtarale që shiten pa faturë, ka ardhur reagimi nga Administrata Tatimore. Në njoftimin zyrtar, Tatimet bëjnë me dije se tregtarët ambulantë nuk kanë asnjë detyrim për të lëshuar faturë dhe për të mbajtur dokumentacion tatimor për mallrat.

“Administrata Tatimore informon opinionin publik dhe individët e regjistruar si “tregtarë ambulantë” se, bazuar në legjislacionin tatimor në fuqi, nuk kanë detyrim për të lëshuar faturë tatimore dhe as për të mbajtur dokumentacion tatimor për mallrat apo shërbimet që tregtojnë. Ky përjashtim parashikohet në ligjin nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, konkretisht në nenin 5, pika 1, gërma c). Gjithashtu, ligji nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenin 5, pika 1, gërma j), përcakton qartë statusin dhe kushtet e ushtrimit të aktivitetit të tregtarëve ambulantë”.

Tatimet sqarojnë edhe detyrimet që kanë tregtarët ambulantë.

“Të jetë mbi moshën 16 vjeç; Të jetë i vetëpunësuar dhe të mos punësojë persona të tjerë; Të tregtojë në hapësira publike me leje të lëshuar nga Bashkia përkatëse; Të jetë i regjistruar si ambulant pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore; Të paguajë: Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore; Tarifën për zënien e hapësirës publike; Taksat bashkiake të aplikueshme”.

Reagimi i Drejtorisë së Tatimeve vjen pas publikimit të një videoje që është virale në internet, ku një tregtare në tregun e fruta-perimeve në Sarandë debatoi me një inspector pasi ky i fundit i kërkonte vendosjen e etiketës se cili është prodhuesi i rigonit, produkt që tregtarja e kishte mbledhur në mal.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu