Kjo banesë e braktisur në fshatin Paçram të Shkodrës faturohet çdo muaj nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Denoncimin e ka bërë vetë kryefamiljari Pashk Luka.
“Nga 2004 e këtej nuk ka njeri këtu. Jam larguar në Greqi, kam marrë elektrikun në telefon me e heq sahatin. Ti shko, sahati duhet të rrijë aty. E drejta ime nuk më është dhënë askund. Kur vi këtu më kishin vjedhur dhe sahatin.”
Paradoksi më i madh është me faturimin e vitit 2022 nga OSHEE.
Tarifa kap shifrën e 3 milionë lekëve të vjetra.
“Në qershor më kanë faturuar 3 milion lekë të vjetra. Se ku i kanë marrë këto shifra, ku shkon korenti? I kam thënë drejtorit të OSHEE Laç hajde dhe shiko rrugën ku e ka marrë furnizimin sahati. E kam bërë denoncimin.”
Kryefamiljari, Pashk Luka, apelon që kjo çështje të marrë zgjidhje pasi po faturohet për kilovat që nuk i ka shpenzuar.